Urtia 8 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Të mirat e urtisë

1Shtrihet nga njëri skaj në tjetrin me fuqi,

gjithçka drejton mirë.

2Urtinë dashurova, e kërkova që në rininë time,

e dëshirova ta marr nuse e të martohem me të,

u bëra dashnor i bukurisë së saj.

3Prejardhjen e vet fisnike lavdëron e me Perëndinë jeton,

sunduesi i të gjithave e ka dashuruar.

4Është e njohur me dijen e Perëndisë,

vendos për veprat e tij.

5Pasuria është zotërim i dëshiruar në jetë,

por ç'ka më të pasur se urtia, që i ndërton të gjitha?

6E nëse maturia ndërton,

kush tjetër veç urtisë është krijues i gjithçkaje?

7Kush dashuron drejtësinë,

do të lindë virtyte:

ajo mëson maturinë e mençurinë,

drejtësinë e trimërinë.

Më të dobishme se këto s'ka në jetën e njerëzve.

8Kur dikush dëshiron të mësojë shumë,

ajo njeh të shkuarën dhe parathotë të ardhmen,

kupton ojnat e fjalëve e zgjidh gjëegjëzat,

i di që më parë shenjat e ngjarjeve,

rrjedhën e kohëve e të moteve.

9Gjykova të marr urtinë për shoqe jete,

sepse e di që do të më jetë këshilltare e mirë

dhe do të më japë zemër në shqetësime e pikëllime.

10Për shkak të urtisë do të fitoj lavdi në popull

dhe nder përpara të vjetërve, megjithëse jam i ri.

11Do të jem i mprehtë në gjykim

dhe të fuqishmit do të mrekullohen.

12Kur të hesht, do të presin,

kur ta rimarr fjalën, do të më vënë vesh,

kur të flas përsëri, do të mbyllin gojën me dorë.

13Prej saj do të fitoj pavdekësinë,

kujtim të përjetshëm do të lë pas meje.

14Do të qeveris popujt,

kombet do të më nënshtrohen.

15Mbretërit e tmerrshëm do të më kenë frikë,

përpara popullit do të jem i urtë,

trim do të jem në luftë.

16Kur të kthehem në shtëpi, do të prehem me urtinë,

nuk sjell hidhërim shoqëria me të,

jetesa me të nuk sjell dhimbje,

por veç kënaqësi e gëzim.

17Këto po mendoja me vete

e në zemrën time kuptova

se lidhja me urtinë sjell pavdekësinë,

18se miqësia e urtisë sjell gëzim të virtytshëm,

veprat e duarve të saj pasuri të pashterur,

shtrimi në bisedë me të sjell pjekuri,

emër të mirë sjell biseda me të,

prandaj e lypa ta marr.

19Që fëmijë isha i zgjuar,

më ra për fat një shpirt i mirë,

20për më tepër, duke qenë i mirë,

hyra në një trup pa të meta.

21Por e di se s'do të kisha pasur urti,

po të mos ma jepte Perëndia.

Shenjë urtie është të dish nga vjen ajo,

ndaj i thirra Zotit,

iu luta me gjithë zemër.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help