Siraku 15 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

Shpërblimi i të drejtit

1Kështu vepron ai që druan Zotin,

ai që mban ligjin, nxë urtinë.

2Ajo i del para si nënë,

e pret porsi nuse e re.

3E ushqen me bukën e arsyes,

i mëkon ujin e urtisë.

4Mbështetet tek ajo e nuk lëkundet,

prehet tek ajo e nuk turpërohet.

5Ajo e lartëson përmbi të afërtit

e ai merr fjalën në mes të kuvendit.

6Gjen ngazëllimin dhe kurorën e haresë,

trashëgon një emër të amshuar.

7Njerëzit e marrë nuk e arrijnë,

mëkatarët nuk e shohin.

8Urtia rri larg mendjemadhësisë,

gënjeshtarët nuk kujtohen për të.

9Kënga nuk i rri në gojë mëkatarit,

se nuk i është dhënë prej Zotit.

10Kënga këndohet me urti,

Zoti ia bën mbarë.

Liria e njeriut

11Mos thuaj: «Më shthuri Zoti»,

se ai nuk bën çfarë urren.

12Mos thuaj: «Ai më mashtroi»,

se s'ia ka nevojën mëkatarit.

13Zoti urren çdo poshtërsi,

por edhe ata që e druajnë

nuk i durojnë ato.

14Ai e krijoi njeriun që në fillim

dhe e la në dorën e vullnetit vetjak.

15Po të duash i mban urdhërimet

e në të pëlqeftë, vepron me besnikëri.

16Të ka vënë para zjarrin e ujin,

zgjate dorën për cilën të duash.

17Para njeriut është jeta dhe vdekja,

ç't'i pëlqejë do t'i jepet.

18Se e madhe është urtia e Zotit,

fuqia e tij është e fortë dhe vëren gjithçka.

19Ai i mban sytë mbi ata që e druajnë,

njeh mirë çdo vepër njerëzore.

20Askujt nuk ia mësoi prapësinë

e askujt s'i dha leje të mëkatojë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help