Fjalët e urta 18 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (with DC)(AL1)

1Kush ndjek tekat e veta, ndahet nga shokët,

shpërthen kundër çdo këshille.

2Të marrin nuk e gëzon mençuria,

por shprehja e mendimeve të veta.

3Bashkë me të ligun vjen edhe përçmimi,

bashkë me turpin vjen edhe poshtërimi.

4Fjalët e gojës së njeriut janë ujëra të thella,

lum gufues është burimi i urtisë.

5Nuk është mirë të mbështetësh të paudhin

e të përmbysësh të drejtin para gjyqit.

6Buzët e të marrit çojnë në grindje

dhe goja e tij thërret për goditje.

7Goja e të marrit është rrënimi i tij,

buzët e tij lak për jetën e vet.

8Fjalët e shpifësit janë si gjella e shijshme,

zbresin gjer te zorrët e barkut.

9Kush është i ngathët në punën e vet,

është vëlla me kryerrënuesin.

10Kullë e fortë është emri i Zotit,

atje rend i drejti dhe është i mbrojtur.

11Kamja e të pasurit është kështjella e tij,

mur i lartë në përfytyrimin e tij.

12Mendjemadhësia e njeriut i prin rrënimit,

lavdisë i prin përulësia.

13Turp e faqja e zezë

për kë përgjigjet para se të dëgjojë.

14Shpirti e mbështet njeriun në sëmundje,

po shpirtin e pikëlluar kush do ta mëkëmbë?

15Mendja e mprehtë e arrin njohjen,

njohjen e kërkon veshi i të urtëve.

16Dhurata ia hap rrugët njeriut,

e udhëheq përpara të mëdhenjve.

17Kush flet i pari në një zënkë, duket i drejtë,

por vjen tjetri dhe e heton.

18Grindjet mbyllen me short,

shorti vendos edhe mes të fuqishmëve.

19Një vëlla i fyer është më i fortë se një kështjellë;

grindjet janë si hekurat e një kulle.

20Njeriu ngihet me çfarë nxjerr nga goja,

me çfarë del nga buzët e tij.

21Vdekja e jeta varen nga gjuha,

kush e do atë, do t'ia hajë frytet.

22Kush gjen një grua, ka gjetur të mirën,

ka fituar përkrahjen e Zotit.

23Fjalët e skamnorit janë përgjërime,

ndërsa i pasuri përgjigjet vrazhdë.

24Njeriu mund ta pësojë nga miqtë,

por miku mund të jetë më i shtrenjtë se vëllai.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help