PUNËT’ E APOSTOJVET Krej 14. - Albanian Tosk New Testament Konstantin Kristoferidhi 1879(ALBKK79)

1Edhe ndë Ikoni, kur hynë bashkë ndë sinagogjit të Judhenjet, folnë kështu, sa besuanë shumë shumicë prej Judhenjet e prej Grekëvet.

2Po ata Judhenjtë që nukë bindeshinë, shtyninë mbë të keq shpirtërat’ e kombevet kundrë vëllezëret.

3Mjaft kohë pra ndenjnë atie, tuke folurë me sy hapurë për Zotinë, që martiriste për fialën’ e hirit ti, edhe epte të bënenë shenje e çudira me anë të duarvet atyre.

4Edhe shumica e qytetit u nda mbë dy; e ca ishinë me Judhenjtë, e ca me apostojtë.

5Edhe kur u sulnë kombet' e Judhenjtë bashkë me të parët' e tyre, që t'i shanjën’ e t’i vrasënë me gurë,

6E muarnë vesh, edhe iknë ndëpër qytetet të Lykaonisë, ndë Lystrë e ndë Dervë, e rreth atyre fshatëravet,

7Edhe atie leçisninë ungjillinë.

8Edhe ndë Lystrë rrinte një njeri që s’munte nga këmbëtë, sepse ishte i çalë që nga barku s’ëmësë, i cili s’kishte ecurë kurrë.

9Kyj dëgjonte Pavlinë tuke folurë; i cili, si shtyri sytë mb’ atë, edhe pa se kishte besë për të shpëtuarë,

10Tha me zë të math: “Ngreu mbë këmbë drejtë. Edhe ay këcente edhe ecënte.

11Edhe gjëndëja kur panë se ç’bëri Pavli, ngritnë zën’e tyre, tuke thënë Lykaonisht, se: “Perënditë u shëmbëllyenë mbë njerës e sbritnë te ne.”

12Edhe qjuaninë Varnavënë Enjëte, edhe Pavlinë Mërkur; sepse ay ishte i pari që fliste.

13Atëhere prifti i Enjëtesë, që ishte përpara qytetit atyreve, pruri dema e kurora përpara dyervet, e donte të bënjë kurban bashkë me gjëndëjenë.

14Edhe apostojtë Varnava edhe Pavli kur dëgjuanë, çuarnë rrobet’ e tyre, e u hothnë ndë mes të gjëndëjesë, tuke thërriturë,

15E tuke thënë: “Përse bëni këto, o burra? Edhe neve jemi njerës që pësojmë si edhe ju, edhe u leçisëmë juve të këtheneni nga këto të kota mbë Perëndinë e gjallë, që bëri qiellin’ e dhen’ e detin’ edhe gjithë ç’janë nd’ ato;

16I cili ndë brezat që shkuanë la gjithë kombetë të ecënjënë nd’ udhët të tyre;

17Ndonëse nuk’ e la vetëhen’ e ti pa martirisurë, tuke bërë mirë, e tuke dhënë neve nga qielli shira e kohëra plot me pemë, e tuke mbushurë zëmratë tona me ushqim e me gëzim.”

18— Edhe tuke thënë këto, mezi ndaluanë gjëndëjenë që të mos u bënjën’ atyre kurban.

19Edhe erthnë ca Judhenj nga Antiohia e nga Ikonia, edhe u mbushnë mëndëjenë gjëndëjesë, e rrahnë me gurë Pavlinë, edhe e hoqnë svarë jashtë qytetit, sepse kujtuanë se vdiq.

20Po nxënësitë si e qarkësuanë, u ngrit e hyri ndë qytet, edhe mbë të nesërmet dolli bashkë me Varnavënë ndë Dhervë.

21Edhe passi leçitnë ungjillinë nd’atë qytet, edhe bënë shumë nxënës, u këthyenë ndë Lystrë e nd’ Ikoni, e ndë Antiohi,

22Tuke forcuarë shpirtërat’ e nxënëset, e tuke shtytur’ ata të qëndronjënë ndë besët, edhe tuke thënë atyre se me shumë shtrëngime duhetë të hynjënë ndë mbëretërit të Perëndisë.

23Edhe si u urdhëruan atyre pleq mbë çdo qishë, edhe u falnë me agjërime, i lanë te Zoti që i kishinë besuarë.

24Edhe si shkuanë ndëpër Pisidhi, erthnë ndë Pamfyli;

25Edhe si folnë fialënë ndë Pergë, sbritnë nd’Attali;

26Edhe së andejmi lundruanë për Antiohi, atie ku ishinë dhënë ndë hir të Perëndisë për punënë që mbaruanë.

27Edhe si erthnë, mbëlothnë qishënë, edhe u dëftyen’ atyre gjithë sa bëri Perëndia me anë t’ atyre, edhe se hapi derën’ e besësë ndër kombet.

28Edhe ndenjnë atie shumë kohë bashkë me nxënësitë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help