1 Korinthianët 1 - Albanian Gegh New Testament Konstandin Kristoforidhi 1872(ALGKK72)

KAPTINA I.

1Pauli thërritun’ apostull i Iesu Krishtit, me anë të dashunimit Perëndisë, edhe Sostheni vëllai,

2mbë kishën’ e Perëndisë qi ashtë ndë Korinthë, të shenjtënueshimitë mbë Iesu Krishtinë, thërritunë shenjtëna, bashkë me gjith’ ata qi thërrasinë mbë qish do vend emënin’ e Zotit t’ynë Iesu Krishtit, t’atyne edhe t’ynit.

3Hir qoftë mbë ju edhe paqtim prei Perëndisë Atit t’ynë, edhe prei Zotit Iesu Krisht.

4I falem nders përherë Perëndisë t’em për ju, për ate hirin’ e Perëndisë qi u dha mbë ju me anë të Iesu Krishtit,

5se u batë të pasunë prei ati mbë qish do fjalë, e mbë qish do mend,

6sikurse deshmia e Krishtit u vërtetue mbë ju,

7kaqi sa s’u mengon juve as ndonji dhunëti tue pritunë të sbuluemen’ e Zotit t’ynë Iesu Krishtit,

8i cilli ka me u vërtetuem juve të dilni faqe-bardhë deri së mbrapëni, ndë ditë të Zotit t’ynë Iesu Krishtit.

9Perëndia ashtë besëtar, prei të cillit u thërritët ndë shoqëni të Birit ati Iesu Krishtit Zotit t’ynë.

10Edhe u lutem juve, o vëllazën, për emënë të Zotit t’ynë Iesu Krishtit, qi të thoni të gjithë njifjalë, edhe të mos jenë shqerra ndër ju, por të jeni piekunë me nji shpirt e me nji mend.

11Sepse më diftuenë për ju, o vëllazën, ata qi janë prei shtëpisë Kloesë, se janë qarta ndër ju.

12Edhe këte e thom, se gjithë-se-cilli prei jush thotë: Unë jam i Paulit, e un’ i Apolloit, e un’ i Kifait, e un’ i Krishtit. Damë ashtë Krishti?

13Mos u kryqëzue Pauli për ju? Apor u pagëzuetë mb’emënë të Paulit?

14Falemi nders Perëndisë, se nukë pagëzova ndonji prei jush, veçse Krispin’ edhe Gainë,

15qi të mos thotë kushi, se pagëzova mb’emënë t’em.

16Pagëzova edhe shtëpin’ e Stefanait, veç këtyneve nukë dij ndë pagëzova tietër kend.

17Sepse Krishti nukë më dërgoi me pagëzuem, por me ungjillëzuem; jo me dituni fjale, për mos me dalun’ i kotë kryqi i Krishtit.

18Sepse fjala e kryqit ashtë marri mb’ata qi janë të vdierrë, por mbë ne qi jemi të shpëtuem ashtë fuqi Perëndie.

19Sepse ashtë shkruem: “Kam me vdierrë ditunin’ e të ditshimvet, edhe kam me hedhunë poshtë mendien’ e të mentshimvet”.

20Ku asht’ i ditshimi? Ku ashtë shkruisi? Ku ashtë kërkimtari i kësai jete? Nukë marroi Perëndia ditunin’ e kësai jete?

21Sepse bota si nukë ngjofi Perëndinë me ditunin’ e Perëndisë, i pëlqeu Perëndisë me marrin’ e predikimit me shpëtuem ata qi besojnë.

22Sepse edhe Iudeitë kërkojnë shenjë, edhe Grekëtë kërkojnë dituni.

23Por na predikojmë Krishtin’ e kryqëzuem, qi ashtë shkandulë mbë Iudeit, e marri mbë Grekët,

24por mb’ata qi janë të thërritunë, Iude e Grekë, Krishti ashtë fuqi Perëndie, edhe dituni Perëndie.

25Sepse marria e Perëndisë ashtë ma e ditshime se e nierëzëvet, edhe dobësina e Perëndisë ashtë ma e fortë se e nierëzëvet.

26Sepse e shifni të thirrëtë tuei, o vëllazën, se nukë jeni shumë të ditshim prei mishit, jo shumë të fuqishim, jo shumë të fisshim.

27Por Perëndia sgjodhi punët’ e marra të botësë për me turpënuem të ditshimitë, edhe Perëndia sgjodhi të dobat’ e botësë, për me turpënuem të fortatë.

28Edhe Perëndia sgjodhi të pafisshimet’ e botësë, edhe ato qi shahenë, edhe ato qi nukë janë, për me prishun’ ato qi janë,

29qi të mos mburretë ndonji mish përpara ati.

30Edhe ju jeni prei ati mbë Iesu Krishtinë, i cilli u ba mbë ne dituni prei Perëndisë, dreitëni, e shenjtënim, e shpërblim,

31qi sikurse ashtë shkruem: “Ai qi mburretë, le të mburretë mbë Zotinë”.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help