1Pastaj pashë në qiell një shenjë të madhe e të mahnitshme, shtatë engjëj që kishin shtatë plagët e fundit. Me to përfundoi zemërimi i Perëndisë.
2Pashë edhe diçka si det të qelqtë përzier me zjarr, si edhe ata që kishin mundur bishën, shëmbëlltyrën e saj dhe numrin e emrit të saj. Ata qëndronin mbi detin e qelqtë me harpat e Perëndisë në duar
3dhe këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë dhe këngën e Qengjit:
«Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua,
o Zot, Perëndi i gjithëpushtetshëm!
Të drejta e të vërteta udhët e tua,
o mbret i kombeve!
4Kush nuk do të të druajë ty, o Zot,
kush nuk do ta përlëvdojë emrin tënd?
Vetëm ti je i shenjtë
dhe gjithë kombet do të vijnë
e do të të adhurojnë,
se u shfaqën të gjitha veprat e tua të drejta».
5Pastaj pashë se u hap tempulli i tendës së dëshmisë në qiell.
6Nga tempulli dolën shtatë engjëjt që kishin shtatë plagët. Ata ishin veshur me pëlhura të pastra e të shndritshme, ndërsa kraharorët i kishin ngjeshur me breza të artë.
7Njëra nga katër gjallesat u dha shtatë engjëjve shtatë kupa të arta, të mbushura me zemërimin e Perëndisë që jeton në shekuj të shekujve.
8Tempulli u mbush me tymin e lavdisë e të fuqisë së Perëndisë dhe askush nuk mund të hynte në tempull, derisa të mbaronin të shtatë plagët e shtatë engjëjve.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.
