Jeremia 33 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Premtimi për përtëritje

1Fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë për të dytën herë, kur ai ishte mbyllur në tremen e rojës, e i tha:

2«Kështu thotë Zoti, që bëri tokën, Zoti, që i dha trajtë për ta bërë të qëndrueshme dhe që Zot është emri i tij.

3Thirrmë e unë do të të përgjigjem. Do të të tregoj gjëra të mëdha e të fshehura, për të cilat nuk ke njohuri.

4Se kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, për shtëpitë e këtij qyteti dhe për pallatet e mbretit të Judës, që do të shemben nga rrethimi e nga shpata.

5Ata po vijnë për të luftuar kundër kaldenjve, për ta mbushur vendin me kufomat e njerëzve, që unë do t'i godas në zemërimin e në tërbimin tim, sepse e kam fshehur fytyrën time nga ky qytet, për shkak të tërë ligësisë së tyre.

6Ja, unë do t'i sjell shëndet e shërim, do t'i shëroj e do t'u zbuloj begatinë e paqes e të besnikërisë.

7Do t'i kthej robërit e Judës dhe robërit e Izraelit e do t'i përtërij si dikur.

8Do t'i pastroj nga të gjitha fajet me të cilat mëkatuan kundër meje dhe do ta fal tërë fajin e mëkatit e të kryeneçësisë së tyre kundër meje.

9 Do të jetë për mua emër gëzimi, lavdi e nderi mes të gjitha kombeve të tokës, që do të dëgjojnë për tërë mirësinë që unë u bëra dhe do të shtangen e do të dridhen për tërë të mirën dhe tërë begatinë që unë po bëj gati për ta.

10Kështu thotë Zoti: sërish në këtë vend, për të cilin ju thoni se është i shkretuar, pa njerëz e pa shtazë, në qytetet e Judës e në rrugët e Jerusalemit, që janë shkretuar, pa njerëz, pa banorë e pa shtazë, do të dëgjohet

11tingulli i gëzimit e tingulli i haresë, zëri i dhëndrit e zëri i nuses, zëri i atyre që thonë:

“Përlëvdojeni Zotin e ushtrive,

se i mirë është Zoti,

se mirësia e tij mbetet përgjithmonë”,

teksa sjellin fli falënderimi në tempullin e Zotit. Se unë do t'i kthej të robëruarit e tokës siç ishin në fillim, thotë Zoti.

12Kështu thotë Zoti i ushtrive: në këtë vend të shkretuar, pa njerëz e pa shtazë, dhe në të gjitha qytetet e tij, do të ketë kullota për barinjtë që do të vendojnë grigjën.

13Në qytetet kodrinore, në qytetet e Shefelahut e në qytetet e Negevit, në tokën e Benjaminit, në rrethinat e Jerusalemit e në qytetet e Judës, grigjat do të kalojnë përsëri në duart e atij që i numëron, thotë Zoti».

Mbretërit dhe priftërinjtë

14«Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do ta përmbush premtimin që i bëra shtëpisë së Izraelit e shtëpisë së Judës.

15Në ato ditë e në atë kohë do të qes prej Davidit një pinjoll të drejtë, i cili do të zbatojë të drejtën dhe drejtësinë në vend.

16Në ato ditë Juda do të shpëtohet, Jerusalemi do të banojë i qetë e do të thirret: Zoti është drejtësia jonë.

17Se kështu thotë Zoti: Davidit nuk do t'i mungojë një burrë, që të ulet në fronin e shtëpisë së Izraelit.

18As priftërinjve levitë nuk do t'u mungojë një burrë prej pranisë sime, që të kushtojë fli shkrumbimi, të djegë temjan e drithë e të kushtojë fli çdo ditë».

19Fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha:

20«Kështu thotë Zoti: nëse mund ta thyeni besëlidhjen time me ditën dhe besëlidhjen time me natën, e të mos vijnë dita e nata në kohën e vet,

21atëherë mund të thyhet edhe besëlidhja ime me Davidin, shërbëtorin tim, e nuk do të ketë një bir që të mbretërojë mbi fronin e tij, sikurse edhe me levitët priftërinj, shërbëtorët e mi.

22Siç nuk mund të numërohet ushtria e qiellit e nuk mund të matet rëra e detit, kështu do t'i shumoj pasardhësit e Davidit, shërbëtorit tim, dhe levitët, që më shërbejnë».

23Fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha:

24«A nuk e ke vënë re ç'thotë ky popull? Thonë: “Zoti i përbuzi dy fiset që kishte zgjedhur”. Kështu e përçmojnë popullin tim, duke mos e parë më si komb.

25Kështu thotë Zoti: po të mos vlente më besëlidhja ime me ditën e natën, po të mos e kisha caktuar unë ligjësinë e qiellit e të tokës,

26atëherë do ta përbuzja farën e Jakobit e të Davidit, shërbëtorit tim, e nuk do të zgjidhja prej pasardhësve të tij një sundimtar mbi pasardhësit e Abrahamit, Isakut e Jakobit. Por unë do t'i kthej robërit e tyre e do të kem mëshirë për ta».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help