Zanafilla 20 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Abrahami dhe Abimeleku

1Abrahami u largua prej andej drejt tokës së Negevit. Ndenji mes Kadeshit e Shurit e banoi si i huaj në Gerar.

2Atje Abrahami thoshte për Sarën, gruan e tij: «Është motra ime». Kështu, Abimeleku, mbreti i Gerarit, dërgoi njerëz dhe e mori Sarën.

3Por Perëndia iu drejtua Abimelekut natën në ëndërr e i tha: «Ja, do të vdesësh për shkak të gruas që more, sepse është e martuar».

4Abimeleku nuk e kishte prekur, prandaj i tha: «O Zot, a do ta vrisje një komb të drejtë?!

5A nuk më tha Abrahami se ishte e motra? Edhe Sara vetë më tha se është vëllai i saj. Me ndërgjegje të pastër e me duar të pafajshme e bëra këtë gjë».

6Perëndia i tha në ëndërr: «Unë e di që veprove me ndërgjegje të pastër, prandaj të ruajta që të mos mëkatosh kundër meje e kështu nuk të lashë ta prekësh.

7Tani, ktheja të shoqen, se Abrahami është profet. Ai do të lutet për ty e do të jetosh. Por nëse nuk ia kthen, dije mirë se do të vdesësh ti dhe të gjithë të tutë».

8Abimeleku u ngrit herët në mëngjes dhe thirri të gjithë shërbëtorët e tij. Kur u tregoi gjithçka, ata i zuri një frikë e madhe.

9Atëherë Abimeleku thirri Abrahamin e i tha: «Çfarë na ke bërë kështu? Ç'të keqe të bëra që solle mbi mua e mbi mbretërinë time një mëkat kaq të rëndë? Nuk u solle me mua siç duhet».

10Abimeleku shtoi: «Ç'të shkoi në mendje që bëre këtë gjë!».

11Abrahami iu përgjigj: «E bëra se thashë: me siguri, nuk ka frikë Perëndie në këtë vend e kështu do të më vrasin për shkak të gruas sime.

12Është e vërtetë, ajo është motra ime, sepse është bija e tim eti e jo e sime mëje, por e mora për grua.

13Kur Perëndia më bëri të endem larg nga shtëpia e tim eti, i thashë asaj: “Tregohu mirëdashëse ndaj meje. Në çdo vend që do të hyjmë, thuaj për mua se jam vëllai yt”».

14Atëherë Abimeleku mori dhen e qe, shërbëtorë e shërbëtore e ia dha Abrahamit. I ktheu edhe Sarën, gruan e tij,

15e i tha: «Ja, para teje është vendi im. Bano ku të të pëlqejë».

16Sarës i tha: «Ja, i kam dhënë një mijë monedha argjendi vëllait tënd për të mbuluar fyerjen para të gjithë atyre që janë me ty e për të të shfajësuar para të gjithëve».

17Atëherë Abrahami iu lut Perëndisë dhe Perëndia i shëroi Abimelekun, gruan dhe skllavet e tij. Kështu, ato lindën fëmijë,

18sepse Zoti i kishte bërë beronja të gjitha gratë e shtëpisë së Abimelekut, për shkak të Sarës, gruas së Abrahamit.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help