Ezekieli 28 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Kundër mbretit të Tirit

1Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha:

2«Bir i njeriut, thuaji prijësit të Tirit se kështu thotë Zoti im, Zoti:

meqë t'u rrit mendja, the:

“Unë jam Perëndi,

ulem në fronin e perëndive,

në zemër të detit”.

Ndonëse je njeri e jo perëndi,

por të është mbushur mendja se ke mendje perëndish,

3ja, ti je më i urtë se Danieli,

asnjë fshehtësi nuk të përvidhet.

4Me urti e mençuri mblodhe pasuri,

vure ar e argjend në thesaret e tua.

5Me nuhatjen tënde të madhe për tregti,

e shtove pasurinë,

por t'u rrit mendja për shkak të pasurisë.

6Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti:

meqë t'u mbush mendja se ke mendje perëndish,

7për këtë, ja, do të dërgoj kundër teje të huajt,

kombet më mizore.

Ata do të marrin shpatat kundër urtisë sate të hijshme

e do ta përdhosin hijeshinë tënde.

8Do të të plandosin në gropë

e do të vdesësh me vdekjen e të therurve

në zemër të detit.

9A përsëri do të thuash: “Unë jam Perëndi”,

përballë vrasësve të tu?

Por njeri je ti e jo Perëndi,

në dorë të thertarëve të tu.

10Do të vdesësh siç vdesin të parrethprerët,

nga dora e të huajve, se unë fola,

kumton Zoti im, Zoti».

Vajtimi për Tirin

11Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha:

12«Bir i njeriut, nis vajtimin për mbretin e Tirit e thuaji se kështu thotë Zoti im, Zoti:

ti ishe vula e përsosurisë,

plot urti e me bukuri të përkryer.

13Ti ishe në Eden, në kopshtin e Perëndisë.

Çdo gur të çmuar kishe për mbulojë:

rubin, krisolit e smerald,

topaz, oniks e diaspër,

safir, granat e beril.

Me zeje ari ishin lodrat e tua,

gdhendjet e tua

në ditën e krijimit tënd qenë bërë gati.

14Ishe si kerub mbrojtës krahëhapur.

Të vura mbi malin e shenjtë të Perëndisë

e mbi gurë të zjarrtë ecje.

15Të përsosura i kishe sjelljet

që nga dita kur u krijove

deri kur u gjet te ti paudhësia.

16Për shkak të begatisë së shkëmbimeve të tua,

u dende me dhunë në mesin tënd e mëkatove.

Atëherë të flaka si të përdhosur nga mali i Perëndisë

e të shkatërrova, o kerub mbrojtës,

nga mesi i gurëve të zjarrtë.

17T'u rrit mendja nga bukuria jote,

t'u çart urtia për shkak të bukurisë.

Të hodha përtokë e të flaka para mbretërve,

që të shihnin shfaqje te ti.

18Me teprinë e fajeve të tua,

me dredhitë e shkëmbimeve të tua,

i përdhose shenjtëroret e tua,

prandaj qita flakë prej teje

e ajo të përlau.

Të ktheva në pluhur mbi dhe

para syve të të gjithë shikuesve.

19Tërë sa të njohin ndër popuj

tmerrohen me ty.

U bëre i frikshëm,

more fund përgjithmonë».

Kundër Sidonit

20Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha:

21«Bir i njeriut, sillu drejt Sidonit dhe profetizo kundër tij.

22Thuaji se kështu thotë Zoti im, Zoti:

ja ku më ke kundër teje, o Sidon!

Do të përlëvdohem në mesin tënd.

Do ta marrin vesh se unë jam Zoti

pasi të kem shpallur gjykimin në të,

pasi të kem vendosur në të shenjtërinë time.

23Do të dërgoj kundër tij murtajën

dhe gjaku do të rrjedhë udhëve të tij.

Në mes të tij do të bien të therurit prej shpatës,

që gjithandej do t'i rrethojë,

e do ta marrin vesh se unë jam Zoti.

24Nuk do të ketë më gjilpërë therëse për shtëpinë e Izraelit, as gjemb lëndues nga të gjithë ata që e rrethojnë me përçmim. E do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Zoti vetë.

25Kështu thotë Zoti im, Zoti: kur ta mbledh shtëpinë e Izraelit prej popujve ku janë shpërndarë dhe kur ta shfaq shenjtërinë time në ta para syve të kombeve, ata do të banojnë në tokën e vet që ia pata dhënë Jakobit, shërbëtorit tim.

26Do të jetojnë aty të qetë, do të ndërtojnë shtëpi e do të mbjellin vreshta. Do të jetojnë të qetë, kur të zbatoj gjykimet kundër të gjithë atyre që i rrethonin me përçmim. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Perëndia i tyre».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help