Danieli 1 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Në pallatin e mbretit të Babilonisë

1Në vitin e tretë të mbretërimit të Jehojakimit, mbretit të Judës, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi e rrethoi Jerusalemin.

2Atëherë Zoti i dorëzoi atij Jehojakimin, mbretin e Judës, bashkë me një pjesë të sendeve të tempullit të Perëndisë. Nabukodonosori i solli robërit në tokën e Shinarit, në vendin ku ishte tempulli i perëndisë së tij, ndërsa sendet i vuri në thesarin e perëndisë së tij.

3Ai urdhëroi Ashpenazin, kreun e zyrtarëve të tij, që t'i sillnin disa djem me prejardhje mbretërore apo me prejardhje fisnike,

4të rinj pa asnjë të metë, të pashëm, të mençur e plot urti, të zgjuar, të ditur e të aftë për të shërbyer në pallatin mbretëror, dhe t'u mësonin shkrimin e gjuhën e kaldenjve.

5Mbreti kishte urdhëruar që çdo ditë t'u jepnin nga gjellët e shijshme të mbretit dhe nga vera që pinte ai vetë e t'i edukonin për tri vjet, pas të cilëve ata do të hynin në shërbim të mbretit.

6Mes tyre ishin edhe Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azarjahu, prej fisit të Judës.

7Kreu i zyrtarëve u vuri atyre emra të tjerë. Danielin e quajti Belteshacar, Hananiahun Shadrak, Mishaelin Meshak e Azarjahun Abed Nego.

8Danieli vendosi me gjithë zemër të mos përlyhej me gjellët, me verën e me pijet e mbretit. Kështu, ai i kërkoi kreut të zyrtarëve që të mos përlyhej.

9Perëndia bëri që Danieli të gjente hir e dhembshuri para kreut të zyrtarëve.

10Por ai i tha Danielit: «Kam frikë nga zotëria im, mbreti. Ai e caktoi vetë çfarë do të hani e çfarë do të pini. Po të shohë se jeni më të hequr në fytyrë se djelmoshat e tjerë të moshës suaj, do të më vini kokën në rrezik para mbretit».

11Atëherë Danieli i tha rojtarit, që kreu i zyrtarëve kishte caktuar për vetë Danielin, për Hananiahun, Mishaelin e Azarjahun:

12«Vëri në provë, të lutem, shërbëtorët e tu për dhjetë ditë. Le të na japin perime për të ngrënë e ujë për të pirë.

13Pastaj krahaso pamjen tonë me pamjen e djelmoshave që hanë nga gjellët e mbretit. Atëherë vepro me shërbëtorët e tu sipas asaj që do të shohësh».

14Rojtari e pranoi kërkesën e tyre dhe i vuri në provë për dhjetë ditë.

15Si kaluan të dhjetë ditët, pamja e tyre dukej më e bukur e më e shëndetshme sesa pamja e të gjithë djelmoshave që kishin ngrënë nga gjellët e mbretit.

16Kështu, rojtari ua hoqi gjellët, verën e pijet dhe u dha perime.

17Perëndia u dha këtyre katër djelmoshave dije e mençuri për të kuptuar çdo shkrim e urti. Danielit i dha edhe aftësinë për të kuptuar vegime e ëndrra.

18Kur mbaruan ditët e caktuara prej mbretit për t'i paraqitur para tij, kreu i zyrtarëve i solli para Nabukodonosorit.

19Mbreti bisedoi me ta, por, mes gjithë djelmoshave, nuk gjeti asnjë si Danieli, Hananiahu, Mishaeli e Azarjahu. Kështu, ata u vunë në shërbim të mbretit.

20Sa herë që kërkonte mendim për ndonjë çështje urtie a diturie, mbreti pa se ata ishin dhjetë herë më të aftë se të gjithë magjistarët dhe shortarët e mbarë mbretërisë së tij.

21Danieli qëndroi në shërbim të mbretit deri në vitin e parë të mbretërimit të Kirit.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help