Mateu 27 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Dorëzimi te Pilati(Mk 15.1; Lk 23.1-2; Gjn 18.28-32)

1Në mëngjes herët të gjithë kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit vendosën së bashku ta dënonin Jezuin me vdekje.

2Pasi e lidhën, e morën e ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit.

Vdekja e Judës(Vp 1.18-19)

3Kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se Jezuin e dënuan, u pendua, ia ktheu kryepriftit e pleqve tridhjetë monedhat e argjendta

4e u tha: «Kam mëkatuar se tradhtova gjakun e pafajshëm». Ata i thanë: «E ç'na duhet neve! Kjo është punë për ty».

5Pasi i hodhi monedhat e argjendta në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten.

6Kryepriftërinjtë morën monedhat e argjendta e thanë: «Nuk është e lejueshme t'i vëmë këto para në thesarin e tempullit, sepse janë para gjaku».

7Atëherë vendosën të blinin me to arën e një poçari për ta bërë varrezë të huajsh.

8Për këtë arsye ajo arë është quajtur deri më sot «Ara e Gjakut».

9Kështu u përmbush çfarë qe thënë nga profeti Jeremi:

i morën tridhjetë monedhat e argjendta,

çmimi që kishin dhënë bijtë e Izraelit,

10 e blenë me to Arën e Poçarit,

siç më kishte urdhëruar Zoti.

Te Pilati(Mk 15.2-5; Lk 23.3-5; Gjn 18.33-38)

11Jezui qëndronte para qeveritarit dhe ai e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua».

12Por, kur e padisnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk jepte asnjë përgjigje.

13Atëherë Pilati i tha: «A nuk dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?».

14Por Jezui nuk iu përgjigj asnjë padie, gjë që e çuditi shumë qeveritarin.

Dënimi me vdekje(Mk 15.6-15; Lk 23.13-25; Gjn 18.39—19.16)

15Për çdo festë Pashke qeveritari e kishte bërë zakon të lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës.

16Në atë kohë kishin në burg një të burgosur shumë të njohur që quhej Jezu Baraba.

17Kur u mblodh turma, Pilati u tha: «Cilin doni t'ju liroj, Jezu Barabën apo Jezuin që quhet Krisht?».

18Sepse e dinte se Jezuin e kishin dorëzuar nga smira.

19Ndërsa Pilati ishte i ulur në fronin e gjykatësit, e shoqja i çoi fjalë: «Mos u ngatërro me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij».

20Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonin Barabën e të vrisnin Jezuin.

21Qeveritari u tha përsëri: «Cilin nga të dy doni t'ju liroj?». Ata iu përgjigjën: «Barabën!».

22Pilati i pyeti: «Atëherë çfarë të bëj me Jezuin që quhet Krisht?». Të gjithë i thanë: «Të kryqëzohet!».

23Ai u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Por ata thirrën edhe më fort: «Të kryqëzohet!».

24Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, por përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duart para turmës e tha: «Unë nuk kam faj për gjakun e këtij njeriu. Është puna juaj!».

25I gjithë populli u përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!».

26Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezuin, pasi e fshikulluan, e dorëzoi që ta kryqëzonin.

Tallja(Mk 15.16-20; Gjn 19.2-3)

27Atëherë ushtarët e qeveritarit e futën Jezuin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën.

28E zhveshën dhe e mbështollën me një petk të kuq.

29Pastaj thurën një kurorë me gjemba e ia vunë në kokë. Në dorë i dhanë një kallam dhe, duke rënë në gjunjë para tij, talleshin me të e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!».

30E pështynë, morën një kallam dhe e godisnin në kokë.

31Pasi e tallën, ia hoqën petkun, e veshën me rrobat e veta dhe e çuan për ta kryqëzuar.

Kryqëzimi(Mk 15.21-32; Lk 23.26-43; Gjn 19.17-27)

32Kur dolën përjashta, ndeshën një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan të mbartte kryqin e Jezuit.

33Kur arritën te një vend që quhet Golgota, që do të thotë «Vendi i Kafkës»,

34i dhanë të pijë verë me një përzierje të hidhur, por kur e provoi, Jezui nuk deshi ta pijë.

35Pasi e kryqëzuan, hodhën short për të ndarë rrobat e tij.

36Pastaj u ulën e po e ruanin.

37Mbi kokë i vunë shkrimin me shkakun e dënimit: «Ky është Jezui, mbreti i judenjve».

38Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.

39Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën

40e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten nëse je Biri i Perëndisë e zbrit nga kryqi!».

41Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit dhe pleqtë e tallnin e thoshin:

42«Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Ky që qenka mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi e atëherë do t'i besojmë.

43Ky ka besuar në Perëndinë e ka thënë se është Biri i Perëndisë! Atëherë le ta shpëtojë Perëndia nëse e do».

44Edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin në të njëjtën mënyrë.

Vdekja(Mk 15.33-41; Lk 23.44-49; Gjn 19.28-30)

45Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën.

46Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: «Eli, Eli, lema sabakthani?» që do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?».

47Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elinë».

48Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam e ia dha për ta pirë.

49Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar».

50Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt.

51Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë.

52Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën

53dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve.

54Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë».

55Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galilea dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg.

56Ndër to ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe Jozefit, si dhe nëna e bijve të Zebedeut.

Varrimi(Mk 15.42-47; Lk 23.50-56; Gjn 19.38-42)

57Në mbrëmje erdhi një njeri i pasur nga Arimateja me emrin Jozef. Edhe ai kishte qenë dishepull i Jezuit.

58Ai shkoi te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit. Atëherë Pilati urdhëroi t'ia jepnin.

59Jozefi e mori trupin e Jezuit, e mbështolli me një pëlhurë të pastër prej liri

60dhe e vendosi në varrin e ri që kishte hapur për vete në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur të madh te gryka e varrit e u largua.

61Maria Magdalena dhe Maria tjetër po rrinin përballë varrit.

Rojat te varri

62Të nesërmen ishte e shtunë. Kryepriftërinjtë dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati

63e i thanë: «Zotëri, na kujtohet se ai mashtrues, kur ishte ende gjallë, pati thënë: “Pas tri ditësh do të ngjallem”.

64Prandaj jep urdhër që të sigurohet varri deri ditën e tretë, që të mos shkojnë dishepujt e tij për ta vjedhur trupin e pastaj t'i thonë popullit: “U ngjall prej të vdekurve”. Kështu mashtrimi i fundit do të jetë më i madh se i pari».

65Pilati u tha: «Merrni roja dhe shkoni e siguroni varrin sa më mirë».

66Ata shkuan dhe pasi e vulosën gurin e vendosën roja, e siguruan varrin.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help