Mikea 4 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Mali i Zotit

1«Në ditët që do të vijnë,

mali i shtëpisë së Zotit do të ngrihet mbi majat e maleve,

do të lartësohet përmbi kodra

e popujt atje do të vërshojnë.

2Shumë kombe do të shkojnë e do të thonë:

ejani të shkojmë te mali i Zotit,

te shtëpia e Perëndisë së Jakobit.

Ai do të na mësojë rrugët e tij,

që të ecim udhëve të tij,

se prej Sionit do të dalë ligji,

prej Jerusalemit fjala e Zotit.

3Ai do të bëjë gjyq mes shumë popujve,

do të japë vendime që larg për kombe të fuqishme.

E ata, shpatat do t'i farkëtojnë për plugje,

heshtat e tyre për drapërinj.

Kombet s'do ta nxjerrin shpatën kundër njëri-tjetrit,

për luftë nuk do të stërviten më.

4Secili do të ulet nën hardhinë e vet,

nën fik, e s'do të ketë frikë,

se Zoti i ushtrive foli me gojën e vet.

5Çdo popull ndjek perëndinë e tij,

ndërsa ne ndjekim Zotin, Perëndinë tonë,

përjetë e përgjithmonë.

6Atë ditë, kumton Zoti,

do t'i mbledh të çalët e të zbuarit.

Edhe ata që ndëshkova,

tok do t'i mbledh.

7Me të çalët do të përftoj tepricën,

të zbuarit do t'i bëj komb të fuqishëm

e Zoti, në malin Sion,

do të mbretërojë mes tyre, tani e përjetë.

8Te ti, o kulla e grigjës,

o kodra e bijës së Sionit,

te ti do të mbërrijë zotërimi i dikurshëm,

mbretëria e bijës së Jerusalemit.

9Përse, pra, lëshon klithma?

A nuk paska mbret te ti,

a paska marrë fund këshilltari yt,

që dhimbjet si ato të lindjes të zënkan kështu?

10Rënko e këlthit, si gruaja që lind, o bija e Sionit,

se nga qyteti do të ikësh

e në fusha do të banosh.

Në Babiloni do të ikësh

e atje do të shpëtosh.

Atje Zoti do të të shpengojë

nga dora e armikut tënd.

11Tani, shumë kombe janë mbledhur kundër teje

e thonë: të poshtërohet Sioni! Të kënaqemi duke e parë!

12Ata nuk i dinë shestimet e Zotit,

nuk i kuptojnë synimet e tij,

se ai i ka mbledhur,

porsi duaj në lëmë.

13Ngrihu e shij, o bija e Sionit,

bririn do të ta bëj të hekurt,

thundrat e tua prej bronzi,

shumë kombe të dërrmosh.

Zotit do t'ia kushtosh fitimet e tyre,

Zotit të mbarë tokës, pasuritë e tyre.

14 Tani, mblidhi trupat, o bijë e çetave,

se jemi të rrethuar,

me skeptër e godasin në fytyrë,

gjykatësin e Izraelit».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help