Luka 18 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Vejusha dhe gjykatësi

1Pastaj Jezui u tha një shëmbëlltyrë për t'u treguar se duhet të luten gjithmonë, pa hequr dorë.

2Ai u tha: «Në një qytet ishte një gjykatës që nuk e druante Perëndinë e as kishte respekt për njerëzit.

3Në atë qytet gjendej edhe një vejushë që shkonte tek ai e i thoshte: “Më jep të drejtë para kundërshtarit tim!”.

4Për njëfarë kohe ai nuk donte, por pastaj tha me vete: “Edhe pse nuk e druaj Perëndinë e as kam respekt për njerëzit,

5meqë kjo vejushë po më shqetëson, do t'ia jap të drejtën, se përndryshe, duke ardhur pareshtur, do të më bëjë ta humb durimin”».

6E Zoti tha: «Dëgjoni çfarë thotë gjykatësi i padrejtë.

7Po Perëndia, a nuk do të vendosë drejtësi për të zgjedhurit e tij që e thërrasin ditë e natë? A do të vonohet t'i ndihmojë?

8Unë po ju them se ai do të vendosë shpejt drejtësi. Por prapëseprapë, kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë ende besim në tokë?».

Fariseu dhe tagrambledhësi

9Edhe disave që e mbanin veten si të drejtë dhe përçmonin të tjerët, Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

10«Dy njerëz shkuan për t'u lutur në tempull. Njëri ishte farise, tjetri tagrambledhës.

11Fariseu rrinte në këmbë e lutej duke thënë me vete: “Perëndi, unë të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, vjedhës, i padrejtë, burrë që bën tradhti bashkëshortore apo si ky tagrambledhës.

12Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithë të ardhurave të mia”.

13Ndërsa tagrambledhësi që rrinte larg e nuk guxonte as të ngrinte sytë drejt qiellit, godiste gjoksin e thoshte: “Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin!”.

14Unë po ju them: ky njeri e jo fariseu u kthye në shtëpi i bërë i drejtë nga Perëndia. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet dhe kush e përul vetveten, do të lartësohet».

Bekimi i fëmijëve(Mt 19.13-15; Mk 10.13-16)

15Disa njerëz sillnin foshnjat te Jezui, që ai t'i prekte, por kur i shihnin, dishepujt i ndalonin.

16Atëherë Jezui i thirri fëmijët pranë vetes e tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata.

17Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të».

Njeriu i pasur(Mt 19.16-30; Mk 10.17-31)

18Një nga krerët e judenjve e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?».

19Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë.

20Ti i njeh urdhërimet: mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde!».

21Atëherë ai i tha: «Të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime».

22Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Të mungon vetëm një gjë: shit gjithçka që ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!».

23Por kur i dëgjoi këto, ai u trishtua, se ishte shumë i pasur.

24Jezui pa se ai u trishtua, prandaj tha: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!

25Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë».

26Ata që po e dëgjonin e pyetën: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?».

27Jezui u përgjigj: «Ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Perëndinë».

28Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka kishim dhe erdhëm pas teje».

29Dhe Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që kanë lënë shtëpi a grua, vëllezër a fëmijë për shkakun e mbretërisë së Perëndisë,

30nuk do të mbetet pa marrë shumë më tepër në këtë kohë dhe do të marrë jetën e amshuar në botën tjetër».

Paralajmërimi sërish i Pashkës(Mt 20.17-19; Mk 10.32-34)

31Jezui i mori mënjanë të dymbëdhjetët e u tha: «Po shkojmë në Jerusalem dhe gjithçka që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushet.

32Ai do t'u dorëzohet kombeve që do ta tallin, do ta shajnë e do ta pështyjnë

33dhe, pasi ta kenë fshikulluar, do ta vrasin, por ditën e tretë ai do të ngjallet».

34Ata nuk kuptuan asgjë, sepse ajo që u tha Jezui ishte e fshehtë për ta dhe nuk e morën vesh çfarë tha.

Shërimi i lypësit të verbër(Mt 20.29-34; Mk 10.46-52)

35Ndërsa Jezui po i afrohej Jerikosë, një i verbër rrinte ulur ndanë udhës e lypte.

36Kur dëgjoi se po kalonte një turmë, pyeti se çfarë po ndodhte.

37Ata i thanë: «Po kalon Jezui i Nazaretit».

38Atëherë ai thirri me zë të lartë: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!».

39Ata që ecnin përpara e urdhëruan të heshtte, por ai thirri edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!».

40Jezui ndaloi e urdhëroi t'i sillnin të verbrin. Kur ai u afrua, Jezui e pyeti:

41«Çfarë dëshiron të bëj për ty?». Ai i tha: «Zot, dua të shoh përsëri!».

42Dhe Jezui i tha: «Shih përsëri! Besimi yt të shpëtoi».

43Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit, duke përlëvduar Perëndinë. Të gjithë ata që e panë, lavdëruan Perëndinë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help