Fjalët e urta 9 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Ftesa e urtisë

1Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet,

ia latoi shtatë shtyllat.

2Theri theroret, përzjeu verën

e shtroi tryezën.

3Dërgoi shërbëtoret e veta

dhe shpall nga majat e lartësive të qytezës:

4«Kush është i pamësuar, le të kthehet këtu!».

Të pamendëve u thotë:

5«Ejani, hani bukën time

e pini verën që kam përzier unë!

6Hiqni dorë nga marrëzitë e do të jetoni.

Ecni udhës së arsyes!».

Kundër shpotitësve

7Kush ndreq shpotitësin, turpërohet,

kush hahet me të prapin, lëndohet.

8Mos e ndreq shpotitësin, që mos të të urrejë.

Ndreqe të urtin e ai do të të dojë.

9Jepi këshilla të urtit

e do të jetë edhe më i urtë.

Mësoje të drejtin e do t'i shtohet mençuria.

10Fillimi i urtisë është droja e Zotit;

njohja e të Shenjtit, kjo është mençuria.

11Falë meje do të shtohen ditët e tua

e do të shumohen vitet e jetës sate.

12Në do të jesh i urtë, do të jesh për vete,

Në do të jesh shpotitës, për vete do të jesh.

Përçartja e marrëzisë

13Marrëzia është si një grua bujëmadhe,

si një e pamend që nuk di asgjë.

14Rri ulur në derën e shtëpisë,

në fron, lart mbi qytezë

15dhe u thërret kalimtarëve

që ecin udhës së tyre të drejtë:

16«Kush është i pamësuar, le të kthehet këtu!».

Të pamendëve ajo u thotë:

17«Uji i vjedhur është i ëmbël

e buka e marrë tinëz është e shijshme».

18Ata s'e dinë se atje janë hijet

dhe të ftuarit e saj janë thellë në skëterrë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help