Psalmet 78 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

1Himn i Asafit.

Vër re, o populli im, ligjin tim,

mba vesh fjalët e gojës sime.

2Gojën do të hap e do të flas me shëmbëlltyra,

do të tregoj të fshehta nga e shkuara.

3I kemi dëgjuar e i kemi ditur,

etërit tanë na i kanë treguar.

4Nuk do t'ua mbajmë të fshehta bijve të tyre,

brezit të ardhshëm do t'ua tregojmë,

veprat e lavdishme dhe fuqinë e Zotit,

mrekullitë që ai bëri.

5Ai vendosi një dëshmi për Jakobin,

caktoi një ligj në Izrael.

Etërve tanë u urdhëroi,

që bijve të tyre t'ua shpallin,

6që t'i njohë edhe breznia e ardhshme,

bashkë me fëmijët që do të lindin.

E kur të rriten edhe ata,

bijve të vet do t'ua tregojnë,

7që shpresën ta vënë te Perëndia,

që veprat e Perëndisë mos t'i harrojnë

e urdhërimet e tij t'i mbajnë,

8që të mos bëhen si etërit e tyre,

një brez kokëfortë e kryengritës,

një brez me zemër të luhatur

e me shpirt të pabesë ndaj Perëndisë.

9Bijtë e Efraimit, harkëtarë të zotë,

ditën e betejës shpinën kthyen.

10Nuk e mbajtën besëlidhjen e Perëndisë,

nuk deshën të ecnin sipas ligjit të tij.

11I harruan veprat e tij

dhe mrekullitë që u kishte dëftyer.

12Në sy të etërve të tyre bëri mrekulli,

në tokën e Egjiptit, në fushën e Coanit.

13E ndau detin e i kaloi përmes,

ujërat i ndali e i bëri pirg.

14Ditën u printe me një re,

gjithë natën me dritë flakëruese.

15Në shkretëtirë çau shkëmbinj,

u dha të pinë si nga burimet e thella.

16Përrenj nxori prej shkëmbit,

ujërat i bëri të rrjedhin si lumenj.

17Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij,

në vend të shkretë ngritën krye

kundër të Tejlartit.

18Në zemrat e tyre e tunduan Perëndinë,

kërkuan ushqim siç ua kishte ënda.

19Kundër Perëndisë folën e thanë:

«A mundet Perëndia të shtrojë tryezë

në mes të shkretëtirës?

20Ja, ai goditi shkëmbin e ujërat gëluan

dhe si përrenj vërshuan.

Por, a mundet t'i japë edhe bukë

e mish t'i gatitë popullit të vet?».

21I dëgjoi Zoti e fort u zemërua,

zjarri u ndez kundër Jakobit,

zemërimi vloi kundër Izraelit,

22se nuk besuan në Perëndinë

e as shpresuan në shpëtimin e tij.

23Por ai urdhëroi retë prej së larti,

dyert e qiellit i hapi.

24Si shi ua dërgoi manën për ushqim

e grurë prej qiellit u dha.

25Çdonjëri hëngri bukë engjëjsh,

u dha ushqim sa u ngopën.

26Në qiell ngriti erën e lindjes,

me pushtetin e tij bëri të fryjë shiroku.

27Bëri të bjerë mish mbi ta si pluhuri,

shpendët fluturues si rëra e detit.

28I bëri të bien mes fushimit të tyre,

rreth e rrotull tendave të tyre.

29Hëngrën e mirë u ngopën,

çka donin ua dha.

30Ende nuk ishin ngopur mirë

e ushqimin e kishin në gojë,

31kur zemërimi i Perëndisë u ndez kundër tyre.

Më të fortët prej tyre i vrau,

të rinjtë e Izraelit i plandosi.

32E megjithatë mëkatuan sërish

dhe në mrekullitë e tij nuk besuan.

33Ditët e tyre u përfunduan në kotësi,

vitet e tyre patën fund të tmerrshëm.

34Kur i vriste, atëherë e kërkonin,

ktheheshin dhe Perëndinë dëshironin.

35Kujtoheshin se Perëndia ishte shkëmbi i tyre,

Perëndia, i Tejlarti, shpenguesi i tyre.

36Por, me gojë e mashtronin,

me gjuhën e tyre i thoshin rrena.

37Zemra e tyre nuk ishte përherë me të,

besëlidhjes së tij nuk i qëndruan besnikë.

38Por ai është i dhembshur e paudhësinë ua falte.

Nuk i shkatërronte, zemërimin shpesh e ndalte

dhe furinë e tij nuk e linte të flakëronte.

39Kujtohej se ishin prej mishi,

si era që shkon e më nuk kthehet.

40Sa herë iu ngritën kundër në shkretëtirë!

Sa herë e hidhëruan në vend të shkretë!

41Ktheheshin dhe prapë e tundonin Perëndinë,

e trishtonin të shenjtin e Izraelit.

42Nuk u kujtohej më dora e tij e fuqishme,

dita kur i çliroi prej armikut:

43shenjat, që kishte bërë në Egjipt,

veprat e mrekullueshme në fushën e Coanit.

44Lumenjtë e armikut i kishte kthyer në gjak,

edhe rrjedhat e ujit, që të mos pinin më.

45U dërgoi mori grethash, që t'i thumbonin,

bretkosa, që t'i shkatërronin.

46Të korrat e tyre ua dha krimbave,

karkalecave mundin e tyre.

47Vreshtat ua rrënoi me breshër,

pemët e fikut me brymë.

48Me breshër ua goditi edhe bagëtinë,

me rrufe, gjënë e gjallë.

49Dërgoi mbi ta flakën e zemërimit të tij,

furinë, mërinë e fatkeqësinë;

u dërgoi engjëj të këqij.

50I hapi udhë zemërimit të tij,

jetën prej vdekjes nuk ua kurseu,

por i la në dorë të murtajës.

51Shfarosi çdo të parëlindur në Egjipt,

frytin e parë të fuqisë së tyre në tendat e Kamit.

52Si dhentë e ngriti prej andej popullin e tij,

u priu në shkretëtirë porsi grigjës.

53I udhëhoqi me kujdes e frikë nuk patën,

armiqtë e tyre i mbuloi deti.

54I çoi në vendin e tij të shenjtë,

në malin, që kishte fituar e djathta e tij.

55Dëboi kombe para tyre

e tokën ua ndau me short për trashëgim.

Fiset e Izraelit i vuri të banojnë

nëpër tendat e tyre.

56Por ata e tunduan përsëri,

ngritën krye kundër Perëndisë, të Tejlartit,

e dëshmitë e tij nuk i mbajtën.

57U shmangën e, si etërit e tyre, të pabesë u treguan,

si harku i shtrembër, ata dredhuan.

58Me faltoret në vende të larta e bënë të zemërohet,

me idhujt e gdhendur ia ndezën furinë.

59E dëgjoi Perëndia e flakë u ndez,

rëndë e përçmoi Izraelin.

60E braktisi tendën e Shilohut,

banesën, që kishte ngritur mes njerëzve.

61Forcën e tij e la të bjerë në robëri,

lavdinë e tij në duart e armikut.

62Popullin e tij ia dorëzoi shpatës,

kundër trashëgimisë së vet flakë u ndez.

63Djelmoshat e tyre i përpiu zjarri,

vashave nuk u kënduan.

64Priftërinjtë e tyre ranë prej shpatës,

vejushat nuk i vajtuan.

65E u ngrit Zoti, si prej gjumit,

si luftëtari trim, kur e kap vera.

66Pas shpine u ra armiqve,

me turp të përjetshëm i mbuloi.

67Poshtë e hodhi tendën e Jozefit,

fisin e Efraimit nuk e zgjodhi.

68Zgjodhi fisin e Judës,

malin e Sionit, që fort e deshi.

69Të lartë shumë e ndërtoi shenjtëroren,

ashtu si tokën, e themeloi në amshim.

70E zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij,

prej tufave të dhenve e mori.

71E mori prej deleve që mëndnin,

për të kullotur Jakobin, popullin e tij,

dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.

72Me zemër të pastër i udhëhoqi,

me duar të afta u priu.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help