1Samueli i tha Saulit: «Unë jam ai që Zoti dërgoi për të të vajosur mbret mbi popullin e tij, Izraelin, prandaj dëgjoje fjalën e Zotit:
2“Kështu thotë Zoti i ushtrive: po e dënoj Amalekun për çka bëri kundër Izraelit, sepse e pengoi kur doli nga Egjipti.
3Tani pra, sulmoje Amalekun e shfaros gjithçka gjendet në të. Mos ki mëshirë. Vriti me burra, gra, fëmijë, foshnja, qe, dhen, deve e gomarë”».
4Atëherë Sauli thirri popullin dhe e rreshtoi në Telaim. Ata ishin dyqind mijë këmbësorë dhe dhjetë mijë burra prej Judës.
5Sauli mbërriti para qytetit të Amalekut e vuri pritë te vau.
6Pastaj u tha kenitëve: «Ikni prej amalekitëve, që të mos ju shkatërroj bashkë me ta, se treguat mirësi ndaj gjithë izraelitëve kur dolën nga Egjipti». Kështu, kenitët u larguan prej amalekitëve.
7Sauli e sulmoi Amalekun nga Havilahu deri në Shur që është kundruall Egjiptit.
8E kapi të gjallë Agagun, mbretin e amalekitëve, ndërsa mbarë popullin e kaloi në teh të shpatës.
9Sauli e populli kursyen Agagun, dhentë e qetë më të mira, bagëtitë e majme, qengjat e çdo gjë që ishte e mirë, që nuk deshën t'i shfarosnin. Gjithçka të pavlerë e shfarosën.
Shfronëzimi i Saulit10Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Samuelit:
11«Jam penduar që e bëra mbret Saulin, se më ka kthyer shpinën e nuk i zbaton fjalët e mia». Samueli u trishtua e i thirri Zotit gjithë natën.
12Samueli u ngrit në të gdhirë për ta takuar Saulin që herët dhe e lajmëruan se Sauli, pasi kishte mbërritur në Karmel, ku kishte ngritur një përmendore për vete, ishte kthyer dhe kishte kaluar për në Gilgal.
13Samueli shkoi tek ai dhe kur Sauli e takoi, i tha: «Të bekoftë Zoti! Ia mbajta fjalën Zotit».
14Por Samueli iu përgjigj: «Ç'është kjo blegërimë qengjash që po më kapin veshët? Ç'është kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?».
15Sauli i tha: «I sollëm prej Amalekut. Populli i kurseu dhentë e qetë më të mira për t'ia kushtuar Zotit, Perëndisë tënd, ndërsa pjesën tjetër e shfarosëm».
16Samueli i tha Saulit: «Hesht! Do të të tregoj se çfarë më tha Zoti mbrëmë». Sauli i tha: «Fol!».
17Samueli i tha: «Edhe pse të duket vetja i vogël, je kreu i fiseve të Izraelit. Zoti të vajosi mbret mbi Izraelin.
18Zoti të dërgoi e të tha: “Shfarosi amalekitët, ata mëkatarë. Lufto kundër tyre derisa t'i shkatërrosh”.
19Përse, pra, nuk e dëgjove zërin e Zotit, por iu vërsule plaçkës duke bërë ligësi në sytë e Zotit?».
20Sauli iu përgjigj Samuelit: «E kam dëgjuar zërin e Zotit. Shkova siç më dërgoi Zoti dhe e kapa Agagun, mbretin e amalekitëve, ndërsa amalekitët i shfarosa.
21Populli mori për plaçkë dhentë e qetë më të mira, që ishin caktuar për t'u shfarosur, për t'ia kushtuar në Gilgal Zotit, Perëndisë tënd».
22Atëherë Samueli i tha:
«Pse, a i pëlqejnë Zotit flitë e shkrumbimit e flitë e tjera
më shumë se t'i dëgjohet fjala?
Ja, më mirë është dëgjesa, se flitë,
më mirë vëmendja, se dhjami i deshve.
23Kundërshtimi është si mëkati i shortarisë,
kokëfortësia si ligësia e idhujtarisë.
Ngaqë e përbuze fjalën e Zotit,
ai e përbuzi sundimin tënd».
24Atëherë Sauli i tha Samuelit: «Mëkatova, sepse shkela fjalën e Zotit dhe fjalët e tua. Pata frikë popullin dhe dëgjova fjalën e tij.
25Tani, pra, ma fal mëkatin e kthehu bashkë me mua që të adhuroj Zotin».
26Samueli i tha: «Jo, nuk do të kthehem me ty, se ti e përbuze fjalën e Zotit e Zoti të përbuzi si mbret të Izraelit».
27Samueli bëri të largohej, por Sauli e kapi prej fundit të petkut e ia shqeu.
28Samueli i tha: «Sot, Zoti e shqeu mbretërinë e Izraelit prej teje e ia dhuroi një tjetri që është më i mirë se ti.
29Për më tepër ai që është lavdia e Izraelit nuk gënjen e nuk pendohet, se nuk është njeri që të pendohet».
30Sauli i tha: «Kam mëkatuar, por të lutem më ndero para pleqësisë së popullit e para Izraelit e kthehu me mua që të adhuroj Zotin, Perëndinë tënd».
31Samueli u kthye me të dhe Sauli adhuroi Zotin.
32Samueli tha: «Ma sillni Agagun, mbretin e Amalekut». Agagu erdhi në pranga dhe mendonte se nuk i kanosej më vdekja.
33Por Samueli tha: «Siç la shpata jote gra pa fëmijë, ashtu do të mbetet edhe nëna jote pa fëmijë». Dhe Samueli e theri Agagun para Zotit, në Gilgal.
34Samueli shkoi në Ramah, ndërsa Sauli shkoi në shtëpinë e vet në Gibeahun e Saulit.
35Samueli nuk e pa më Saulin gjatë gjithë jetës së vet, por vajtoi për të, se Zoti ishte penduar që e kishte bërë mbret mbi Izraelin.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.