2 Kronikave 25 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Mbretërimi i Amacjahut në Judë

1Amacjahu ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për njëzet e nëntë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Joadana dhe ishte nga Jerusalemi.

2Amacjahu bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, por zemra e tij nuk iu përkushtua plotësisht Zotit.

3Kur mbretërimi i tij u bë më i fortë, Amacjahu i vrau zyrtarët e vet, që i kishin vrarë të atin, mbretin Joash.

4Por bijtë e tyre nuk i vrau, sikurse është shkruar në librin e ligjit të Moisiut, ku Zoti urdhëron: «Të mos dënohen me vdekje etërit për shkak të bijve e as bijtë për shkak të etërve. Secili të dënohet për mëkatin e vet».

5Amacjahu mblodhi tërë banorët e Judës dhe të Benjaminit, i renditi në grupime sipas vëllazërive dhe u caktoi kryemijës dhe kryeqindës. Ai thirri nën armë meshkujt nga njëzet vjeç e lart dhe i dolën treqind mijë burra të zgjedhur të aftë për luftë dhe për të mbajtur heshtë e shqytë.

6Me tre tonë argjend ai mori edhe njëqind mijë luftëtarë trima me pagesë nga Izraeli.

7Një njeri i Perëndisë erdhi tek Amacjahu e i tha: «O mbret, ushtria e Izraelit të mos vijë me ty, sepse Zoti nuk është me Izraelin, me bijtë e Efraimit.

8Nëse dëshiron të shkosh e të luftosh në saje të fuqisë tënde, Perëndia do të të mposhtë para armikut, sepse Perëndia e ka në dorë të të ndihmojë apo të të mposhtë».

9Amacjahu i tha njeriut të Perëndisë: «Po me gjithë ato para, që u dhashë ushtarëve të Izraelit, çfarë të bëj?». Njeriu i Perëndisë iu përgjigj: «Zoti mund të të japë edhe më shumë se aq».

10Atëherë Amacjahu i ndau më vete ushtarët, që i kishin ardhur nga Efraimi, e i ktheu në vendin e tyre. Ata u zemëruan shumë kundër Judës dhe u kthyen në vendin e tyre duke turfulluar nga zemërimi.

11Amacjahu mori fuqi, u vu në krye të ushtrisë së tij dhe shkoi në luginën e Kripës, ku vrau dhjetë mijë luftëtarë të Seirit.

12Luftëtarët e Judës zunë rob edhe dhjetë mijë të tjerë, i çuan në majën e një shkrepi dhe i hodhën prej andej. Të gjithë u bënë copë e çikë.

13Por luftëtarët e Izraelit, që Amacjahu kishte kthyer pas e nuk i kishte marrë me vete në betejë, sulmuan qytetet e Judës nga Samaria në Bet Horon, vranë tre mijë banorë dhe rrëmbyen shumë plaçkë lufte.

14Amacjahu u kthye nga fitorja me edomitët, duke marrë me vete edhe perënditë e banorëve të Seirit. I bëri perëndi të vetat, u përkul para tyre dhe u kushtoi temjan.

15Kështu, zemërimi i Zotit u ndez kundër Amacjahut dhe Zoti i dërgoi një profet për t'i thënë: «Përse je kthyer nga perënditë e popujve që nuk mundën ta shpëtojnë popullin e tyre nga duart e tua?».

16Teksa profeti fliste, Amacjahu i tha: «Mos të kemi bërë vallë këshilltar të mbretit? Hesht, se do të vritesh». Profeti heshti, por i tha: «Unë di se Perëndia ka vendosur shkatërrimin tënd për këtë që bëre dhe se nuk e dëgjove këshillën time».

Lufta kundër Izraelit

17Mandej Amacjahu, mbreti i Judës, u këshillua me oborrtarët dhe i dërgoi lajmëtarë Jehoahazit, birit të Jehut, mbretit të Izraelit, e i tha: «Eja të ndeshemi!».

18Joashi, mbreti i Izraelit, i dërgoi fjalë Amacjahut, mbretit të Judës, e i tha: «Ferra e Libanit i çoi fjalë cedrit të Libanit e i tha: “Jepja vajzën për nuse djalit tim”. Por ja, një kafshë e egër Libani kaloi dhe e shkeli ferrën me këmbë.

19Ngaqë e mposhte Edomin, të është rritur mendja. Rri në shtëpinë tënde! Përse dashke të shkaktosh fatkeqësi? Përse dashke të shkatërrosh veten dhe Judën bashkë me veten?».

20Por Amacjahu, mbreti i Judës, nuk e dëgjoi. Ishte nga Perëndia, që judenjtë të mposhteshin, për shkak se ishin dhënë pas idhujve të Edomit.

21Prandaj Joashi, mbreti i Izraelit, e sulmoi dhe u ndesh me Amacjahun, mbretin e Judës, në Bet Shemesh të Judës.

22Judenjtë u mposhtën nga izraelitët dhe u kthyen nëpër tendat e tyre.

23Joashi, mbreti i Izraelit, e zuri rob Amacjahun, mbretin e Judës, birin e Joashit, të birit të Jehoahazit, në Bet Shemesh. Joashi shkoi mandej në Jerusalem dhe rrënoi murin e qytetit nga Porta e Efraimit deri te Porta e Këndit, rreth dyqind metra.

24Ai plaçkiti të gjithë argjendin, arin dhe sendet e gjetura në tempullin e Perëndisë, nën ruajtjen e Obed Edomit, dhe në thesarin e pallatit mbretëror. Mori edhe disa pengje dhe u kthye në Samari.

25Amacjahu, mbreti i Judës, biri i Joashit, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Joashit, mbretit të Izraelit, të birit të Jehoahazit.

26Bëmat e tjera të Amacjahut, të hershmet e të vonshmet, janë të shkruara në librin e Mbretërve të Judës e të Izraelit.

27Që nga koha kur Amacjahu u largua nga Zoti, disa njerëz ngritën krye kundër tij në Jerusalem. Amacjahu iku në Lakish, por edhe atje e ndoqën pas dhe e vranë.

28Prej andej ia prunë trupin me kuaj dhe e varrosën bashkë me paraardhësit në qytetin e Judës.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help