Nehemia 5 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Nehemia vendos drejtësi

1Një herë populli e gratë e tyre u ankuan shumë kundër vëllezërve të vet judenj.

2Pati nga ata që thoshin: «Kemi shumë bij e bija, prandaj duhet të marrim grurë, që të hamë e të jetojmë».

3Pati edhe nga ata që thoshin: «Duhet të lëmë peng arat, vreshtat e shtëpitë, për të marrë grurë në kohë zie».

4Por pati edhe nga ata që thoshin: «Me arat e vreshtat tona huajtëm para për t'i paguar tagrin mbretit.

5Prej një mishi jemi ne e vëllezërit tanë, bijtë tanë janë si bijtë e tyre, por ja, ne po i japim skllevër bijtë e bijat tona. Disa nga bijat tona janë skllavëruar tashmë e nuk mund të bëjmë asgjë, sepse arat e vreshtat tona i kanë marrë të tjerët».

6Kur e dëgjova ankimin e tyre bashkë me këto fjalë, u zemërova shumë.

7U mendova me vete, pastaj i qortova fisnikët e zyrtarët e u thashë: «Ju u kërkuakeni kamatë vëllezërve». Atëherë thirra kundër tyre një mbledhje të madhe

8e u thashë: «Për sa kemi mundur, ne i kemi shpaguar vëllezërit tanë judenj që ishin shitur te të huajt. Mirëpo edhe ju po i shitkeni vëllezërit tuaj, të cilët, prapë do të na i shesin neve». Atëherë ata heshtën e nuk gjenin fjalë.

9Unë u thashë: «Kjo që po bëni ju, nuk është gjë e mirë. A nuk duhet të jetoni me drojën e Perëndisë sonë, që të mos tallen me ju kombet armike?

10Edhe unë, vëllezërit e mi e shërbëtorët e mi, po u japim hua grurë e para. Le të heqim dorë nga kamata.

11Ktheuani sot arat, vreshtat, ullishtat e shtëpitë, sikurse edhe një të qindtën e parave, grurit, verës e vajit, që keni marrë prej tyre».

12Ata thanë: «Do t'u kthejmë çfarë u morëm e nuk do t'ua kërkojmë më. Do të veprojmë siç po na thua ti». Atëherë thirra priftërinjtë e i bëra të betoheshin se do ta mbanin fjalën.

13Shkunda edhe kindin e petkut tim e thashë: «Kështu e shkundtë Perëndia me shtëpi e katandi këdo që nuk do ta mbajë këtë fjalë! Kështu u shkundtë e u zbraztë!». Tërë bashkësia u përgjigj: «Amen» dhe lavdëruan Zotin. Pastaj populli e mbajti këtë fjalë.

14Qëkurse mbreti më kishte caktuar qeveritar të tyre në dheun e Judës, qysh prej vitit të njëzetë e deri në vitin e tridhjetedytë të mbretit Artakserks, për dymbëdhjetë vjet, as unë, as vëllezërit e mi nuk e morëm tagrin e qeveritarit.

15Qeveritarët para meje e kishin rënduar popullin, sepse merrnin prej tij bukë e verë, përveç dyzet siklave të argjendit. Deri edhe shërbëtorët e tyre e mundonin popullin, por unë nuk veprova ashtu, sepse druaja Perëndinë.

16Unë, për më tepër, punova për meremetimin e këtij muri e nuk bleva as edhe një arë, por të gjithë shërbëtorët e mi ishin mbledhur atje për të punuar.

17Njëqind e pesëdhjetë burra, judenj e zyrtarë, shtroheshin në tryezën time, përveç atyre që vinin te ne nga kombet përreth.

18Çfarë përgatitej për një ditë, domethënë një ka, gjashtë dele të zgjedhura e shpendë, përgatitej prej meje. Çdo dhjetë ditë kishte verë për të gjithë sa të donin, megjithatë unë nuk e kërkova pjesën e ushqimit që i takonte qeveritarit, sepse puna rëndonte mbi popullin.

19Kujtoma për të mirë, o Perëndi, gjithçka bëra për këtë popull!

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help