Estera 5 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Estera paraqitet te mbreti

1Ditën e tretë, Estera veshi rrobat mbretërore dhe u paraqit në oborrin e brendshëm të pallatit mbretëror, përballë pallatit mbretëror. Mbreti rrinte ulur mbi fronin mbretëror në pallat, kundruall hyrjes së pallatit.

2Kur mbreti e pa Esterën tek qëndronte në oborr, iu duk e hijshme. Mbreti shtriu drejt Esterës skeptrin e artë që mbante në dorë. Estera u afrua dhe preku majën e skeptrit.

3Atëherë mbreti i tha: «Çfarë ke, mbretëresha Ester? Çfarë kërkese ke? Deri edhe gjysma e mbretërisë do të të jepet».

4Estera u përgjigj: «Nëse i pëlqen mbretit, le të vijnë sot mbreti me Hamanin në gostinë që kam shtruar për të».

5Mbreti tha: «Silleni shpejt Hamanin e të bëjmë siç tha Estera». Atëherë mbreti shkoi me Hamanin në gostinë që kishte shtruar Estera.

6Kur u shtrua vera, mbreti e pyeti Esterën: «Ç'lutje ke? Do të të plotësohet. Çfarë kërkese ke? Deri edhe gjysma e mbretërisë do të të jepet».

7Atëherë Estera u përgjigj: «Lutja ime dhe dëshira ime është kjo:

8nëse kam gjetur hir para mbretit e nëse mbretit i duket gjë e mirë të ma plotësojë lutjen e të ma kryejë kërkesën, le të vijë mbreti me Hamanin në gostinë që do të shtroj për ta dhe nesër unë do të bëj siç tha mbreti».

9Atë ditë Hamani doli i gëzuar e plot hare, por, kur pa Mordakain te porta e mbretit, që nuk u çua e nuk luajti vendit për të, u mbush me zemërim kundër tij.

10Megjithatë, u përmbajt, shkoi në shtëpi dhe thirri miqtë dhe Zereshën, gruan e vet.

11Hamani u tregoi për madhështinë e pasurisë së vet, për bijtë e vet të shumtë, sesi mbreti e kishte lartësuar e si e kishte ngritur mbi princat dhe shërbëtorët e vet.

12Hamani u tha: «Edhe mbretëresha Ester nuk ftoi askënd tjetër përveç meje në gostinë që shtroi për mbretin. Jam i ftuar të shkoj tek ajo me mbretin edhe nesër.

13Por, gjithë kjo nuk më mjafton për sa kohë ta shoh jude Mordakain ulur te porta e mbretit».

14Atëherë Zeresha, gruaja e tij, dhe të gjithë miqtë i thanë: «Le të ngrihet një shtyllë njëzet e pesë metra e lartë e nesër thuaji mbretit ta varin në të Mordakain. Pastaj shko i gëzuar në gosti me mbretin». Kjo i pëlqeu Hamanit dhe ai përgatiti shtyllën.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help