Fjalët e urta 20 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

1Vera është përqeshëse, pija e potershme,

kush jepet pas tyre nuk është i urtë.

2Tërbimi i mbretit është si ulërima e luanit,

kush e ngacmon rrezikon jetën.

3Shmangia e ngatërresave është nder për njeriun;

çdo i marrë bën shamatë.

4Përtaci nuk lëron në vjeshtë

e kur vijnë të korrat s'gjen gjë.

5Shestimet e zemrës janë si ujë i thellë,

por njeriu i mençur i nxjerr ato.

6Shumë vetë mbahen për njerëz të mirë,

por kush e gjen një njeri besnik?

7I drejti jeton me ndershmëri,

lum fëmijët që lë pas.

8Mbreti që rri ulur mbi fronin e gjykimit,

shpërhap tërë të keqen me një shikim.

9Kush mund të thotë: «E kam zemrën të pastër,

jam i dëlirë nga mëkati»?

10Një peshë kështu e një peshë ashtu,

një masë kështu e një masë ashtu,

që të dyja i neveriten Zotit.

11Fëmija njihet nga çfarë bën,

në është e pastër dhe e drejtë vepra e tij.

12Veshin që dëgjon e syrin që shikon,

që të dy i ka bërë Zoti.

13Mos të të pëlqejë gjumi, se varfërohesh,

hap sytë e do të ngopesh me bukë.

14«E keqe, e keqe!», thotë blerësi,

por kur largohet, krenohet me veten.

15Le të ketë ar e stoli sa të duash,

gjëja më e çmuar janë buzët e ditura.

16Kujt ka hyrë dorëzanë për të panjohurin, merrja petkun,

mbaje peng për të huajt.

17Buka e fituar me mashtrim duket e shijshme,

por më pas goja është plot rërë.

18Bëji planet duke u këshilluar,

hyr në luftë duke u menduar mirë.

19Shpifësi përendet e zbulon të fshehtat,

mos u përziej me kë s'i mbyllet goja.

20Kujt mallkon të atin e të ëmën,

do t'i shuhet drita në mes të territ.

21Trashëgimia e fituar shpejt në fillim

nuk do të jetë e bekuar në fund.

22Mos thuaj: «Do ta kthej të keqen me të keqe!».

Prit të të lirojë Zoti.

23Një peshë kështu e një peshë ashtu i neveriten Zotit,

peshorja e rreme nuk është e mirë.

24Hapat e njeriut i drejton Zoti,

si mundet njeriu ta kuptojë udhën e vet?

25Njeriu bie në kurth kur ngutet e thotë: «Kjo është e kushtuar!»

e pastaj pendohet për kushtimet.

26Mbreti i urtë i shpërhap të paudhët

e i shtyp me rrotë.

27Shpirti i njeriut është llambë e Zotit

që shqyrton gjer në thellësi.

28Mirësia dhe e vërteta e ruajnë mbretin,

froni i tij mbështetet mbi mirësinë.

29Krenaria e të rinjve është forca e tyre,

flokët e thinjura janë stolia e pleqve.

30Plagët që kullojnë lajnë të keqen,

të rrahurat zorrët e barkut.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help