Jobi 35 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Vijimi i qortimit të Elihuit

1Elihui foli sërish e tha:

2«A të duket i drejtë mendimi yt,

ty që thua: “Kam të drejtë më shumë se Perëndia”?

3dhe thua: “Çfarë të duhet ty?

Po unë, çfarë fitoj prej mëkatit tim?”.

4Unë do të të përgjigjem ty

e miqve të tu me ty.

5Vështroje qiellin e shikoi retë

që janë më lart se ty.

6Nëse mëkaton, çfarë i bën vallë atij?

Nëse janë shumë fajet e tua, atij çfarë i bën?

7Po të jesh i drejtë, çfarë i jep atij?

Çfarë mund të marrë ai prej dorës sate?

8Njerëzit si ti i prek paudhësia jote,

të gjithë njerëzit i prek drejtësia jote.

9Kur pesha e shtypjes rëndon, njerëzit bërtasin,

ndihmë kërkojnë kundër dorës së pushtetarit.

10Por askush nuk thotë: “Ku është Perëndia, krijuesi im,

që e mbush natën me këngë,

11që na bën më të ditur se shtazët e tokës

e më të zgjuar se zogjtë e qiellit?”.

12Atëherë klithën, por ai s'iu përgjigj,

për shkak të krenarisë së të ligjve.

13Perëndia nuk e dëgjon britmën e kotë,

nuk i vë vesh i gjithëpushtetshmi,

14e aq më pak ty që thua se nuk e sheh.

Prit se çështja jote gjendet para tij.

15E tani që zemërimi i tij nuk ndëshkon

e ai nuk e vëren marrëzinë e tepruar,

16më kot e hap gojën Jobi

e pa dijeni flet fjalë të shumta».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help