1Atëherë Moisiu e izraelitët kënduan këtë këngë për nder të Zotit:
«Këndojini Zotit
se madhërisht ngadhënjeu,
plandosi në det
kuaj e karroca.
2 Zoti është forca ime dhe kënga ime.
Ai është shpëtimi im.
Është Perëndia im,
atë do të lavdëroj,
Perëndia i atit tim,
atë do të lartësoj.
3 Zoti është i fortë në luftë,
Zot është emri i tij.
4Karrocat dhe ushtrinë e faraonit
i vërviti në det.
Të përzgjedhurit e tij,
u mbytën në detin e Kuq.
5Ujërat i mbuluan,
si gurë u fundosën.
6E djathta jote, o Zot,
fuqi madhështore.
E djathta jote, o Zot,
e dërrmon armikun.
7Me madhështinë tënde
i rrëzon kundërshtarët.
Zemërimin e lëshon,
që si byku t'i përpijë.
8Nga turfullimi yt,
ujërat u bënë pirg,
si mure u ngritën lart
e ngrinë thellë në det.
9Armiku thoshte:
“Do t'i ndjek,
do t'i zë,
e prenë do ta ndaj.
Do të më ngopet shpirti.
Shpatën do ta nxjerr
e në dorë do t'i shtie”.
10Ti i fryve erës
e deti i mbuloi.
E ata ranë si plumb,
në ujërat e tërbuara.
11O Zot, kush është si ti
mes perëndive?
Kush është si ti,
madhështor në shenjtëri,
i tmerrshëm në lavdi,
që bën mrekulli?
12E shtrive të djathtën
e toka i përpiu.
13Me mirësi udhëhoqe
popullin që shpëtove.
Me fuqi i prive
drejt shenjtërores tënde.
14Dëgjuan popujt
e u drodhën.
Ankthi i mbërtheu
banorët e Filistesë.
15Atëherë u tmerruan
prijësit e Edomit.
Trimat e Moabit
i zunë të dridhurat,
banorët e Kanaanit
u tretën të gjithë nga frika.
16Tmerri e frika
i pushtoi ata.
Prej fuqisë së krahut tënd
shtangen e ngurosen,
sa të kalojë populli yt, o Zot,
sa të kalojë populli që ti bleve.
17Popullin do ta marrësh
e do ta mbjellësh
në malin e trashëgimisë tënde,
në banesën tënde,
që ti gatite, o Zot,
Në shenjtëroren që ngrite
me duart e tua, Imzot.
18 Zoti mbretëron
përjetë e përgjithmonë».
19Kur kuajt, karrocat dhe kalorësit e faraonit hynë në det, Zoti lëshoi mbi ta ujërat e detit. Por izraelitët kaluan përmes detit nëpër tokë të thatë.
20Atëherë Mirjama, profetesha, motra e Aronit, mori dajren në dorë. Pas saj dolën të gjitha gratë e filluan të kërcejnë me dajre.
21Mirjama i printe këngës:
«Këndojini Zotit,
se madhërisht ngadhënjeu,
plandosi në det
kuaj e karroca».
Në shkretëtirë22Pastaj Moisiu i çoi izraelitët nga deti i Kuq në shkretëtirën e Shurit. Ata udhëtuan për tri ditë nëpër shkretëtirë dhe nuk gjetën ujë.
23Arritën në Marë, por ujin e Marës nuk e pinin dot, se ishte i hidhur. Prandaj edhe quhej Marë.
24Atëherë populli murmuriti kundër Moisiut dhe tha: «Çfarë të pimë tani?».
25Moisiu i thirri Zotit dhe ai i dëftoi një lloj druri. Moisiu e hodhi në ujë dhe uji u bë i ëmbël.
Në atë vend, Zoti i dha popullit rregulla e vendime. Po atje e vuri në provë
26e i tha: «Nëse e dëgjon me kujdes zërin e Zotit, Perëndisë tënd, nëse bën çfarë është e drejtë para tij dhe u vë vesh urdhërimeve të tij e mban tërë rregullat e tij, atëherë nuk do të lëshoj mbi ty asnjë nga gjëmat që i bëra Egjiptit. Unë jam Zoti, shëruesi yt».
27Pastaj izraelitët arritën në Elim. Atje kishte dymbëdhjetë burime dhe shtatëdhjetë palma. Ata fushuan pranë ujit.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.