Jeremia 44 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Hebrenjtë në Egjipt

1Fjala iu drejtua Jeremisë për të gjithë judenjtë, që banonin në dheun e Egjiptit, në Migdol, në Tahpanhes, në Memfis e në dheun e Patrosit, e i tha:

2«Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ju e patë tërë zezonën që çova kundër Jerusalemit e kundër të gjitha qyteteve të Judës. Ja, sot janë të shkretuara e pa banorë,

3për shkak të ligësisë që kryen, për të më zemëruar, duke shkuar për t'u kushtuar temjan e për t'u shërbyer perëndive të tjerë, që nuk i njihnit as ju, as etërit tuaj.

4Unë ju kam dërguar pareshtur të gjithë shërbëtorët e mi, profetët, për t'ju thënë: mos e bëni këtë pështirësi, që unë e urrej,

5por ata nuk më dëgjuan e nuk ma vunë veshin për të hequr dorë nga ligësia e tyre e për të mos u kushtuar temjan perëndive të tjerë.

6Prandaj, zemërimi im e hidhërimi im u zbrazën e u ndezën në qytetet e Judës e në rrugët e Jerusalemit, që u shkatërruan e u shkretuan, siç janë edhe sot.

7Prandaj, kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: pse po e kryeni këtë ligësi të madhe kundër vetes suaj, sa të zhbihen prej jush burri e gruaja, fëmija e foshnja, e të mos mbesë prej jush një tepricë?

8Pse më zemëroni me veprat e duarve tuaja, duke u kushtuar temjan perëndive të huaj në dheun e Egjiptit, ku keni ardhur për të banuar, që të zhbiheni e të bëheni mallkim e tallje mes të gjitha kombeve të dheut?

9A i keni harruar ligësitë e etërve tuaj, ligësitë e mbretërve të Judës, ligësitë e prijësve tuaj, ligësitë tuaja e të grave tuaja, që kryet në dheun e Judës e në rrugët e Jerusalemit?

10Nuk janë penduar deri më sot, nuk janë druajtur e nuk kanë ecur sipas ligjit tim e rregullave të mia që ju parashtrova juve dhe etërve tuaj.

11Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, po kthej fytyrën kundër jush për keq e për ta zhbirë tërë Judën.

12Do ta marr tepricën e Judës, që vendosi të vinte e të banonte në dheun e Egjiptit, do të marrin fund të gjithë në dheun e Egjiptit, do të bien prej shpatës e prej urisë do të marrin fund që nga më i vogli te më i madhi. Prej shpatës e prej urisë do të vdesin e do të bëhen mallkim, tmerr, nëmë e tallje.

13Do t'i ndëshkoj ata që banojnë në dheun e Egjiptit, siç ndëshkova Jerusalemin, me shpatë, me uri e me murtajë.

14Nuk do të shpëtojë as do të ikë askush nga teprica e Judës që ka ardhur për të banuar në dheun e Egjiptit për t'u kthyer në dheun e Judës, ku dëshirojnë të kthehen për të banuar. Nuk do të kthehen, përveç disa të ikurve».

15Atëherë të gjithë burrat që e dinin se gratë e tyre u kishin kushtuar temjan perëndive të tjerë dhe të gjitha gratë e pranishme, pra një bashkësi e madhe, dhe mbarë populli që banonte në Patros, në dheun e Egjiptit, u përgjigjën:

16«Për fjalën që the në emër të Zotit ne nuk do të të dëgjojmë,

17por do të bëjmë gjithçka kemi premtuar, do t'i kushtojmë temjan mbretëreshës së qiejve e do të kushtojmë fli stërpikjeje, siç kemi bërë ne dhe etërit tanë, mbretërit e prijësit tanë në qytetet e Judës e në rrugët e Jerusalemit, se qemë të nginjur me ushqim, patëm begati e nuk pamë asnjë fatkeqësi.

18Që kur nuk i kushtojmë më temjan e fli stërpikjeje mbretëreshës së qiellit, na ka munguar gjithçka e morëm fund prej shpatës e prej urisë».

19Ndërsa gratë thanë: «Kur i kushtojmë temjan e fli stërpikjeje mbretëreshës së qiellit, mos vallë pa burrat tanë ia bëjmë kuleçtë, sipas shëmbëllimit të saj, dhe i kushtojmë fli stërpikjeje?».

20Jeremia i tha mbarë popullit, burrave, grave e të gjithë popullit që i kishte kthyer përgjigje:

21«A nuk e kujton dhe a nuk e mban mend Zoti temjanin që kushtuat në qytetet e Judës e nëpër rrugët e Jerusalemit ju dhe etërit tuaj, mbretërit, prijësit tuaj e mbarë populli i vendit?

22Zoti nuk mund t'i duronte më veprat tuaja të liga dhe pështirësitë që kryet, prandaj toka juaj u bë shkretim, tmerr, nëmë e pa banorë, siç është edhe sot.

23Ju kushtuat temjan e mëkatuat kundër Zotit, nuk e dëgjuat zërin e Zotit dhe nuk ecët sipas ligjit të tij, sipas rregullave të tij dhe dëshmive të tij, prandaj ju ra kjo zezonë, siç është edhe sot».

24Pastaj Jeremia i tha mbarë popullit dhe të gjitha grave: «Dëgjojeni fjalën e Zotit të gjithë ju judenjtë që jeni në Egjipt.

25Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ju dhe gratë tuaja e keni shpallur me gojën tuaj dhe e keni zbatuar me duart tuaja, çfarë kishit thënë: “Ne do t'i përmbushim të gjitha zotimet që kemi bërë, për t'i kushtuar temjan e fli stërpikjeje mbretëreshës së qiellit”. Kryejini zotimet tuaja e zbatojini zotimet tuaja.

26Megjithatë, dëgjojeni fjalën e Zotit, të gjithë ju judenj që banoni në dheun e Egjiptit. Ja, betohem për emrin tim të madh, thotë Zoti, se emri im nuk do të thirret më në dheun e Egjiptit nga goja e asnjë judeu që thotë: “Pasha Zotin, Zotin tim!”.

27Ja, do t'i këqyr për keq e jo për mirë. Secili jude, që është në dheun e Egjiptit, do të goditet me shpatë e me uri, deri në shfarosje.

28Të shpëtuarit nga shpata do të kthehen nga dheu i Egjiptit në dheun e Judës, të paktë në numër, ndërsa mbarë teprica e Judës, që shkoi të banojë në dheun e Egjiptit, do ta marrë vesh cila fjalë do të mbahet, e imja apo e tyrja.

29Kjo do të jetë për ju shenja, kumton Zoti, se unë do ta ndëshkoj këtë vend, që ta merrni vesh se fjalët e mia do të mbahen për të keqen tuaj.

30Kështu thotë Zoti: ja, do ta lë faraonin Hofra, mbretin e Egjiptit, në dorë të armiqve të tij dhe të atyre që duan t'ia marrin shpirtin, siç lashë Sedekinë, mbretin e Judës, në dorë të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, armikut të tij, që donte t'ia merrte shpirtin».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help