2 Timoteut 1 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Përshëndetje

1Unë Pali, që përmes vullnetit të Perëndisë jam apostull i Krishtit Jezu për të predikuar jetën e premtuar, që është në Krishtin Jezu,

2po i shkruaj Timoteut, birit tim të dashur: hiri, mëshira e paqja nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezu, Zoti ynë, qofshin me ty!

Besnikëria ndaj ungjillit

3Falënderoj Perëndinë që e adhuroj me ndërgjegje të pastër si të parët e mi ndërsa të kujtoj ty pa pushim në lutjet e mia natë e ditë.

4Kur kujtoj lotët e tu, kam shumë dëshirë të të shoh, që të mbushem me gëzim.

5Më kujtohet besimi yt i sinqertë, që përpara teje e kishte Loida, gjyshja jote, dhe Eunika, nëna jote. Jam i bindur se këtë besim e ke edhe ti.

6Për këtë arsye po të kujtoj ta mbash gjallë dhuntinë që Perëndia të dha përmes vënies së duarve të mia.

7Perëndia nuk na dha shpirtin e frikës, por të fuqisë, të dashurisë e të maturisë.

8Prandaj mos ki turp as nga dëshmia për Zotin tonë, as nga unë, i burgosuri i tij, por vuaj bashkë me mua për ungjillin, i mbështetur në fuqinë e Perëndisë.

9Perëndia na shpëtoi

e na thirri me një thirrje të shenjtë,

jo sipas veprave tona,

por sipas qëllimit të tij

e hirit që na u dha përmes Krishtit Jezu

përpara fillimit të kohëve.

10Ky hir u bë i dukshëm tani

përmes ardhjes së shpëtimtarit tonë,

Krishtit Jezu,

i cili e shfuqizoi vdekjen

dhe nxori në dritë

jetën e pavdekësinë përmes ungjillit.

11Për këtë ungjill unë u caktova predikues, apostull e mësues.

12Për këtë arsye po vuaj gjithë këto gjëra. Por nuk kam turp, se e di kujt i kam besuar e jam i bindur se ai është i aftë ta ruajë thesarin që më ka besuar, deri në atë ditë.

13Ndiqe shembullin e mësimit të drejtë, që dëgjove prej meje, me besimin e me dashurinë që vijnë përmes Krishtit Jezu.

14Ruaje thesarin e mirë me ndihmën e Shpirtit të shenjtë që banon në ne.

15Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më braktisën, ndër ta edhe Figeli e Hermogjeni.

16Zoti tregoftë mëshirë për shtëpinë e Onesiforit, se më ngushëlloi shpesh e nuk pati turp nga prangat e mia.

17Madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me ngulm e më gjeti.

18Dhëntë Zoti që ai të gjejë mëshirë prej Zotit atë ditë. Ti e di shumë mirë sesa më shërbeu ai në Efes.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help