Zanafilla 17 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Rrethprerja si shenjë e besëlidhjes

1Kur Abrami ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç, Zoti iu shfaq e i tha: «Unë jam Perëndia i gjithëpushtetshëm. Jeto me mua e ji i paqortueshëm.

2Unë do të lidh besëlidhjen time me ty e do të të shumoj pa masë».

3Abrami ra me fytyrë përdhe e Perëndia i tha:

4«Sa për mua, kjo është besëlidhja ime me ty: do të bëhesh atë i shumë kombeve.

5Nuk do të quhesh më Abram, por Abraham, sepse të kam bërë atë të shumë kombeve.

6Do të të shumoj pa masë. Prej teje do të nxjerr kombe e prej teje do të lindin mbretër.

7Do ta bëj besëlidhjen time me ty e me pasardhësit e tu brez pas brezi, një besëlidhje të përjetshme, për të qenë Perëndia yt dhe i pasardhësve të tu.

8Ty e pasardhësve të tu, do t'ju jap si pronë të përjetshme tokën në të cilën banon si i huaj dhe tërë tokën e Kanaanit. Unë do të jem Perëndia i tyre».

9Perëndia i tha Abrahamit: «Sa për ty, ti do të mbash besëlidhjen time, ti e pasardhësit e tu brez pas brezi.

10Besëlidhja që ti e pasardhësit e tu duhet të mbani është kjo: gjithë meshkujt tuaj do të rrethpriten.

11Do të rrethpriteni në lëkurën e gjymtyrës mashkullore e kjo do të jetë shenjë e besëlidhjes mes meje e jush.

12Çdo mashkull, brez pas brezi, do të rrethpritet tetë ditë pas lindjes, edhe i linduri në shtëpi, edhe i huaji i blerë me para që nuk është pasardhësi yt.

13Duhen rrethprerë si ai që ka lindur në shtëpinë tënde, edhe ai i blerë me para. Besëlidhja ime do të jetë në mishin tuaj një besëlidhje e përjetshme.

14Mashkulli i parrethprerë, që nuk rrethpritet në lëkurën e gjymtyrës mashkullore, do të zhbihet prej popullit të vet, sepse ka thyer besëlidhjen time».

15Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: «Gruan tënde nuk do ta quash më Sarajë, por Sara.

16Do ta bekoj, madje prej saj do të të jap një djalë. Do ta bekoj e prej saj do të lindin kombe e do të dalin mbretër kombesh».

17Abrahami ra me fytyrë përdhe, qeshi e tha me vete: «A mundet burri njëqind vjeç të bëhet me djalë e Sara nëntëdhjetëvjeçe të lindë?!».

18Atëherë Abrahami i tha Perëndisë: «Mjaft që ta kem me jetë Ishmaelin në praninë tënde!».

19Por Perëndia tha: «Jo, jo. Sara, gruaja jote, do të të lindë djalë e do ta quash Isak. Besëlidhjen time me të do ta bëj një besëlidhje të përjetshme, edhe për pasardhësit e tij.

20Sa për Ishmaelin, të dëgjova dhe, ja, do ta bekoj e do ta shtoj e shumoj pa masë. Dymbëdhjetë prijës do të lindin prej tij e do ta bëj një komb të madh.

21Por besëlidhjen time do ta bëj me Isakun që Sara do të të lindë pas një viti».

22Perëndia mbaroi së foluri me Abrahamin e u largua prej tij.

23Atëherë Abrahami e mori Ishmaelin, birin e tij, të gjithë ata që kishin lindur në shtëpinë e tij dhe ata që i kishte blerë me para. Në të njëjtën ditë i mori tërë meshkujt e shtëpisë e i rrethpreu në lëkurën e gjymtyrës mashkullore, ashtu siç i kishte thënë Perëndia.

24Abrahami ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç kur u rrethpre,

25ndërsa Ishmaeli, i biri, ishte trembëdhjetë vjeç.

26Në të njëjtën ditë u rrethprenë Abrahami e Ishmaeli, i biri,

27e bashkë me të, tërë meshkujt e shtëpisë së tij, edhe i linduri në shtëpi, edhe i huaji i blerë me para.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help