Psalmet 59 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

1Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Mos shkatërro». Himn i Davidit. Kur Sauli dërgoi njerëz që t'i rrethonin shtëpinë e ta vrisnin.

2Shpëtomë nga armiqtë e mi, o Perëndi,

prej kundërshtarëve të mi mbromë.

3Shpëtomë nga ata që bëjnë paudhësi,

prej njerëzish gjakatarë çliromë.

4Ja, kanë ngritur pritë për të më vrarë,

të fortët janë vërsulur kundër meje,

por unë nuk kam as faj e as mëkat, o Zot.

5Edhe pse s'kam faj, ata janë bërë gati me nxitim.

Ngrihu, pra! Eja pranë meje dhe shiko!

6Ngrihu, o Zot, Perëndi i ushtrive,

ndëshkoji të gjitha kombet ti, o Perëndi i Izraelit,

mos ki mëshirë për asnjë tradhtar të paudhë. selah

7Kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë

dhe sillen nëpër qytet.

8Ja, shkumë u del nga goja,

nga buzët lëshojnë shpata:

«E pse», thonë, «Kush na dëgjon?».

9Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta,

me të gjitha kombet do të tallesh.

10O fuqia ime, ty po të pres,

se ti, o Perëndi, je streha ime.

11Perëndia im do të vijë tek unë tërë mirësi.

Perëndia do të më dëftejë

shkatërrimin e armiqve të mi.

12Mos i vrit, që të mos harrojë populli im,

por shpërndaji me fuqinë tënde,

rrëzoji përdhe, o Zot, mburoja jonë!

13Mëkat është çdo fjalë që u del prej goje.

Rënçin në lakun e krenarisë së tyre,

për shkak të mallkimeve dhe gënjeshtrave që thonë.

14Shkatërroji me zemërimin tënd,

shkatërroji që të mos jenë më!

Le ta dinë se Perëndia sundon mbi Jakobin

e deri në skajet e tokës. selah

15Kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë

dhe sillen nëpër qytet.

16Hapërdahen për të gjetur ushqim

e, kur nuk ngopen, kuisin tërë natën.

17Por unë do t'i këndoj fuqisë sate,

që në mëngjes do të brohoras për mirësinë tënde,

se në ditën e fatkeqësisë sime,

ti ke qenë streha e mburoja ime.

18O fuqia ime, ty do të të thur himne,

se ti, o Perëndi, je mburoja ime,

je Perëndia im plot mirësi.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help