Dalja 38 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Altari i flive të shkrumbimit

1Pastaj bëri altarin e flive të shkrumbimit me dru akacieje. Altari ishte katror, pesë kute i gjatë, pesë kute i gjerë dhe tri kute i lartë.

2Në të katër këndet e altarit punoi nga një bri. Ata ishin një me altarin dhe të veshur me bronz.

3Tërë enët e altarit, rrethjet, terplotet, legenët, pirunët e kacitë i bëri prej bronzi.

4Bëri dhe një skarë prej bronzi dhe e vendosi poshtë, nën buzën e altarit, që të ishte në mes.

5Derdhi katër rrathë bronzi, një në çdo kënd të skarës për të shkuar shufrat.

6Shufrat i bëri me dru akacieje dhe i veshi me bronz.

7Për ta mbartur shkoi shufrat nëpër radhë në krahë të altarit. Altarin e bëri me dërrasa dhe e la të zbrazët brenda.

Legeni

8Pastaj bëri legenin dhe bazën e bronzit me pasqyrat e shërbëtoreve që shërbenin në të hyrë të tendës së takimit.

Oborri

9Pastaj bëri oborrin. Krahu jugor i oborrit u rrethua me njëqind kute pëlhurë liri të tjerrë hollë

10dhe me njëzet shtylla e baza bronzi. Grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta.

11Edhe krahu verior u bë njëqind kute i gjatë dhe u rrethua me njëzet shtylla e baza bronzi, ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta.

12Krahu i perëndimit u rrethua me pesëdhjetë kute pëlhurë dhe me dhjetë shtylla e baza bronzi. Ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta.

13Edhe krahu lindor u bë pesëdhjetë kute i gjatë.

14Ky krah kishte pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në njërën anë të hyrjes

15dhe pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në anën tjetër të hyrjes.

16Tërë pëlhurat që rrethonin oborrin ishin prej liri të tjerrë hollë.

17Bazat e shtyllave ishin prej bronzi, ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat ishin të argjendta. Kokat e shtyllave ishin të lyera me argjend dhe tërë shtyllat e oborrit u mbërthyen me shtiza të argjendta.

18Perdja e hyrjes së oborrit u bë njëzet kute e gjatë. Ajo u punua prej liri të tjerrë hollë dhe u qëndis me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur.

19Kishte katër shtylla dhe baza bronzi. Grremçat ishin prej argjendi dhe kokat e shtyllave bashkë me shtizat ishin të lyera me argjend.

20Tërë kunjat e tendës dhe të oborrit përreth ishin prej bronzi.

Lista e materialeve

21Ky është regjistri i tendës së dëshmisë që u bë nga levitët me urdhër të Moisiut. Ai u bë nën kujdesin e Itamarit, birit të priftit Aron.

22Becaleli, biri i Uriut, prej fisit të Judës, bëri gjithçka që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.

23Atë e ndihmoi Oholiabi, biri i Ahisamakut, prej fisit të Danit. Ai ishte mjeshtër i gdhendjes dhe i qëndisjes së pëlhurës së lirit të hollë me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur.

24Një mijë kilogramë ar, sipas peshës së shenjtërores, u kushtua si fli lartësimi dhe u përdor për tërë punët e shenjtërores.

25Tre mijë e katërqind e tridhjetë kilogramë argjend, sipas peshës së shenjtërores, u mblodhën nga regjistrimi i bashkësisë.

26Pagesa për kokë ishte gjysmë sikle, sipas peshës së shenjtërores, për këdo që ishte njëzet vjeç e lart. Gjithsej ishin gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë veta.

27Tre mijë e katërqind kilogramë argjend u përdorën për të derdhur njëqind bazat e shenjtërores dhe të velit, tridhjetë e katër kilogramë për çdo bazë.

28Tridhjetë kilogramë argjend u përdorën për të bërë grremçat e shtyllave, për të lyer kokat e shtyllave dhe shtizat.

29Dy mijë e katërqind e njëzet e pesë kilogramë bronz u kushtuan si fli lartësimi.

30Me to u bënë bazat e hyrjes së tendës së takimit, altari i bronzit, skara që ishte në të, tërë enët e altarit,

31bazat e oborrit përreth, bazat e hyrjes së oborrit, tërë kunjat e tendës dhe tërë kunjat e oborrit përreth.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help