Zanafilla 34 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Dhunimi i Dinës

1Dina, bija që Lea i lindi Jakobit, doli për të parë bijat e vendit.

2Kur e pa Shekemi, prijësi i vendit, biri i Hamor Hivitit, e rrëmbeu, fjeti me të dhe e poshtëroi.

3Por Dina, bija e Jakobit, i hyri në zemër dhe ai e deshi e i foli ëmbël.

4Kështu, Shekemi i tha Hamorit, të atit: «Ma merr këtë vajzë për grua!».

5Ndërkohë, Jakobi kishte dëgjuar për çnderimin e bijës së tij, Dinës. Ai heshti derisa u kthyen të bijtë që ishin me bagëtitë në fushë.

6Atëherë Hamori, ati i Shekemit, shkoi te Jakobi për t'i folur.

7Ndërkaq bijtë e Jakobit, kur dëgjuan se ç'kishte ngjarë, erdhën nga fusha. Ata ishin të hidhëruar e shumë të zemëruar, sepse Shekemi kishte bërë diçka të turpshme në Izrael. Ai kishte fjetur me bijën e Jakobit. Kjo gjë nuk bëhej.

8Por Hamori foli me ta e tha: «Shekemit, tim biri, i ka hyrë në zemër vajza juaj. Jepjani, pra, për grua.

9Bëni krushqi me ne. Na jepni bijat tuaja e merrni tonat.

10Nëse banoni me ne, vendi do të jetë i hapur për ju. Do të banoni e lëvizni lirisht e do të mund të blini prona».

11Pastaj Shekemi i tha atit të Dinës e vëllezërve të saj: «Gjetsha hir në sytë tuaj! Do të jap çdo gjë që do të më kërkoni.

12Më kërkoni për pajë e dhuratë sa të doni e unë do t'jua jap, veç të më jepni vajzën për grua».

13Atëherë bijtë e Jakobit iu përgjigjën me dredhi Shekemit e Hamorit, atit të tij, sepse ai kishte çnderuar Dinën, motrën e tyre.

14Kështu, ata u thanë: «Nuk mund ta bëjmë këtë gjë. Nuk mund t'ia japim motrën tonë dikujt që është i parrethprerë, sepse kjo do të ishte e turpshme për ne.

15Por do të pranojmë vetëm me një kusht: nëse bëheni si ne e çdo mashkull i juaj rrethpritet.

16Atëherë do t'ju japim bijat tona e ne do të marrim tuajat. Do të banojmë me ju e do të bëhemi një popull i vetëm.

17Por nëse nuk pranoni të rrethpriteni do të marrim me vete bijën tonë e do të largohemi».

18Hamorit e birit të tij, Shekemit, u pëlqeu kjo përgjigje.

19Djaloshi nuk vonoi ta bënte këtë gjë, se e kishte për zemër bijën e Jakobit. Ai ishte më i rëndësishmi në të gjithë familjen e atit të tij.

20Pastaj Hamori e biri i tij, Shekemi, arritën te porta e qytetit e iu drejtuan njerëzve të qytetit:

21«Këta njerëz janë miqësorë me ne. Le të banojnë në këtë vend e të lëvizin lirisht, se ka mjaft vend edhe për ta. Bijat e tyre do t'i marrim për gra e do t'u japim bijat tona.

22Por vetëm me një kusht këta njerëz do të pranojnë të banojnë me ne për t'u bërë një popull i vetëm: tërë meshkujt tanë duhet të rrethpriten ashtu siç rrethpriten edhe ata.

23A nuk do të bëhen tonat kafshët, pasuritë e bagëtitë e tyre? Mjafton që të pranojmë dhe ata do të banojnë me ne».

24Tërë ata që dilnin nga porta e qytetit e dëgjuan Hamorin e Shekemin, birin e tij. Kështu tërë meshkujt e qytetit u rrethprenë.

Simeoni e Levi

25Pas tri ditësh, kur meshkujt e qytetit ende vuanin dhimbjet e rrethprerjes, dy djemtë e Jakobit, Simeoni e Levi, vëllezërit e Dinës, u ngritën secili me shpatë në dorë, hynë në qytet pa u vënë re dhe vranë tërë meshkujt.

26Ata vranë me shpatë edhe Hamorin me Shekemin, birin e tij. Pastaj morën Dinën nga shtëpia e Shekemit e u larguan.

27Bijtë e Jakobit u lëshuan mbi të vrarët dhe plaçkitën qytetin që kishte çnderuar motrën e tyre.

28Ata morën dhentë, qetë, gomarët e gjithçka gjetën në qytet e në fushë.

29Plaçkitën tërë pasurinë dhe morën rob tërë të vegjlit e gratë bashkë me gjithçka që kishin në shtëpi.

30Atëherë Jakobi i tha Simeonit e Levit: «Më keni nxjerrë telashe, se më fëlliqët me banorët e vendit, me kananitët e perizitët. Unë kam pak njerëz. Nëse ata bashkohen kundër meje e më sulmojnë, atëherë unë e shtëpia ime do të marrim fund».

31Por ata thanë: «Pse, si lavire do të trajtohet motra jonë?».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help