Romakëve 10 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

1O vëllezër, e dëshiroj me gjithë zemër shpëtimin e Izraelit dhe për këtë i lutem Perëndisë.

2Unë dëshmoj se ata kanë zell për Perëndinë, por zelli i tyre nuk mbështetet në njohurinë e vërtetë.

3Ata nuk donin të kuptonin se është vetëm Perëndia ai që i bën të drejtë njerëzit, por kërkuan të bëhen të drejtë me veprat e tyre. Kështu ata nuk iu nënshtruan Perëndisë që mund t'i bënte të drejtë.

4Krishti i jep fund ligjit me qëllim që të bëhet i drejtë kushdo që beson në të.

Shpëtimi për të gjithë

5Moisiu shkruan sesi njeriu mund të bëhet i drejtë përmes ligjit dhe thotë: njeriu që i zbaton urdhërimet e ligjit do të jetojë prej tyre.

6Ndërsa për atë që bëhet i drejtë përmes besimit, Moisiu thotë kështu: mos thuaj në zemrën tënde: «Kush do të ngjitet në qiell?». Me këtë donte të thoshte se Krishti do të zbriste poshtë.

7As mos thuaj: «Kush do të zbresë në humnerë?». Me këtë donte të thoshte se Krishti do të ngjallej prej të vdekurve.

8Por çfarë thotë, pra?

Fjala është pranë teje,

në gojën e në zemrën tënde.

Kjo është fjala e besimit që ne predikojmë.

9Nëse rrëfen me gojë se Jezui është Zot dhe nëse beson me zemër se Perëndia e ngjalli atë prej të vdekurve, ti do të shpëtohesh.

10Sepse njeriu beson me zemër dhe Perëndia e bën të drejtë, rrëfen me gojë dhe Perëndia e shpëton.

11Shkrimi thotë: kush beson në të, nuk do të turpërohet.

12Sepse nuk ka dallim ndërmjet judeut e helenit: Zoti është i njëjtë për të gjithë dhe është zemërgjerë me të gjithë ata që e thërrasin emrin e tij.

13Sepse: kush thërret emrin e Zotit, do të shpëtohet.

14Por, si do ta thërrasin atë të cilit nuk i besuan? Dhe si mund t'i besojnë atij për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë nëse nuk ka njeri t'u predikojë?

15Dhe si mund të predikojnë nëse nuk janë dërguar? Sikurse është shkruar: sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin lajme të mira

!

16Por jo të gjithë iu bindën ungjillit. Isaia thotë: o Zot, kush i besoi lajmit tonë?

17Pra, besimi vjen nga dëgjimi dhe dëgjimi vjen përmes fjalës së Krishtit.

18Por unë pyes: Mos vallë nuk kanë dëgjuar ata? Patjetër që kanë dëgjuar:

zëri i tyre u përhap

në të gjithë tokën

dhe fjalët e tyre

deri në skajet e botës.

19Përsëri pyes: Mos vallë nuk kuptoi Izraeli? Moisiu tha i pari:

unë do t'ju bëj të keni zili

një komb që nuk është fare komb;

do t'ju bëj të zemëroheni

me një komb të pamend.

20Isaia pati guximin të thotë:

ata që nuk më kërkonin,

më gjetën;

iu shfaqa

atyre që nuk më kërkonin.

21Por për Izraelin ai thotë:

gjithë ditën i shtriva dorën

një populli të pabindur e kundërshtues.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help