1 Gjonit 4 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Sprovoni shpirtrat

1Fort të dashur, mos i besoni çdo shpirti, por vërini në provë shpirtrat për të parë nëse janë nga Perëndia ose jo, sepse në botë kanë dalë shumë profetë të rremë.

2Shpirtin e Perëndisë do ta njihni nga kjo gjë: çdo shpirt që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur me trup njerëzor, është nga Perëndia.

3Çdo shpirt që nuk e rrëfen Jezuin, nuk është nga Perëndia. Ky është shpirti i antikrishtit, për të cilin keni dëgjuar se po vjen dhe, madje, tashmë ai është në botë.

4Por ju, bijtë e mi, jeni nga Perëndia dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë.

5Ata janë nga bota, prandaj flasin me gjuhën e botës dhe bota i dëgjon.

6Ndërsa ne jemi nga Perëndia. Ai që njeh Perëndinë, na dëgjon. Ai që nuk është nga Perëndia, nuk na dëgjon. Prej kësaj do ta dallojmë Shpirtin e së vërtetës nga shpirti i mashtrimit.

Perëndia është dashuri

7Fort të dashur, le ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia. Kush ka dashuri, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë.

8Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.

9Ja si është shfaqur dashuria e Perëndisë në ne: Ai dërgoi në botë Birin e tij të vetëmlindur që ne të jetojmë nëpërmjet tij.

10Këtu qëndron dashuria: nuk e deshëm ne Perëndinë, por na deshi ai dhe dërgoi Birin e tij si flijim për të shlyer mëkatet tona.

11Fort të dashur, meqenëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin.

12Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Po ta duam njëri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne.

13Ja si e dimë se ne qëndrojmë në të dhe ai qëndron në ne: ai na ka dhënë nga Shpirti i tij.

14Ne kemi parë e dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin e tij si shpëtimtarin e botës.

15Nëse dikush rrëfen se Jezui është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë.

16Ne e kemi njohur dhe i kemi besuar dashurisë që Perëndia ka për ne.

Perëndia është dashuri. Ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të.

17Dashuria është e përsosur në ne kur nuk kemi frikë për ditën e gjykimit, sepse në këtë botë ne jetojmë sikurse ai.

18Në dashuri nuk ka frikë, madje, dashuria e përsosur e dëbon frikën. Frika ka të bëjë me ndëshkimin dhe ai që ka frikë, nuk është i përsosur në dashuri.

19Ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari.

20Po të thotë ndonjë: «Unë e dua Perëndinë», por urren vëllanë e vet, ai është gënjeshtar. Kush nuk do vëllanë, të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e ka parë.

21Këtë urdhërim kemi prej tij: kush e do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help