1 Samuelit 5 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Arka e Zotit mes filistinëve

1Filistinët e morën arkën e Perëndisë nga Eben Ezeri dhe e sollën në Ashdod.

2Pasi e morën arkën e Perëndisë, e sollën te tempulli i Dagonit dhe e vendosën përbri Dagonit.

3Kur banorët e Ashdodit u gdhinë të nesërmen, panë se Dagoni kishte rënë me fytyrë përtokë para arkës së Zotit. E morën dhe e vendosën në vendin e vet.

4Kur u gdhinë të nesërmen, panë se Dagoni kishte rënë sërish me fytyrë përtokë para arkës së Zotit. Koka dhe dy pëllëmbët e Dagonit ishin këputur nga trupi dhe kishte mbetur vetëm trupi.

5Prandaj edhe sot e kësaj dite priftërinjtë e Dagonit dhe të gjithë ata që vijnë te tempulli i tij nuk e shkelin pragun e Dagonit në Ashdod.

6Dora e Zotit i goditi rëndë ashdoditët, ngaqë e dërrmoi dhe e goditi me çibanë Ashdodin dhe rrethinat e tij.

7Si e panë ashdoditët se çfarë ndodhi, thanë: «Të mos qëndrojë më arka e Perëndisë së Izraelit mes nesh, se ai po na godet rëndë ne dhe Dagonin, perëndinë tonë».

8Atëherë çuan fjalë, thirrën të gjithë prijësit e filistinëve e u thanë: «Ç'të bëjmë me arkën e Perëndisë së Izraelit?». Ata u përgjigjën: «Ta çojmë në Gat». Dhe kështu bënë me arkën e Perëndisë së Izraelit.

9Si e sollën, dora e Zotit u shtri kundër qytetit, të cilin e kaploi një tmerr i madh. Ai i goditi me çibanë njerëzit e qytetit, nga më i madhi te më i vogli.

10Pastaj e çuan arkën e Perëndisë në Ekron. Por teksa e çonin në Ekron, banorët thirrën: «Po na e sjellin arkën e Perëndisë së Izraelit që të na vrasin ne dhe popullin tonë».

11Ata çuan fjalë, thirrën të gjithë prijësit e filistinëve e u thanë: «Largojeni arkën e Perëndisë së Izraelit, lëreni të kthehet në vendin e vet, që të mos vdesim ne dhe populli ynë». Mbarë qytetin e kishte kapluar tmerri i vdekjes, sepse dora e Zotit po i godiste rëndë edhe atje.

12Kush nuk vdiste, e zinin çibanët. Atëherë klithma e qytetit u dëgjua deri në qiell.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help