Zanafilla 40 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Ëndrra e oborrtarëve

1Pas këtyre ngjarjeve, kupëmbajtësi e bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit bënë faj ndaj zotërisë së tyre, mbretit të Egjiptit.

2Faraoni u zemërua me të dy oborrtarët e tij, me të parin e kupëmbajtësve e me të parin e bukëpjekësve.

3I futi në burg, në të njëjtin vend ku ishte i burgosur edhe Jozefi, nën ruajtjen e komandantit të truprojës.

4Ky u caktoi Jozefin që t'u shërbente. Ata mbetën të burgosur për njëfarë kohe.

5Një natë kupëmbajtësi e bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit, që ishin të burgosur, panë nga një ëndërr dhe secila kishte kuptimin e vet.

6Kur Jozefi erdhi tek ata në mëngjes, pa se ishin të shqetësuar.

7Atëherë i pyeti oborrtarët e faraonit që ishin të burgosur bashkë me të: «Përse jeni kaq të mërzitur sot?».

8Ata thanë: «Pamë nga një ëndërr, por nuk ka kush të na i shpjegojë». Por Jozefi u tha: «A nuk e di Perëndia kuptimin e ëndrrave? M'i tregoni, pra, ëndrrat!».

9Atëherë i pari i kupëmbajtësve tregoi ëndrrën e vet: «Në ëndërr pashë një hardhi përpara meje.

10Hardhia kishte tri degë e posa filloi të bulojë, lulet çelën e vilet e rrushit u poqën.

11Në dorë kisha kupën e faraonit. I kapa vilet e rrushit, i shtrydha në kupë e ia dhashë faraonit në dorë».

12Jozefi i tha: «Kuptimi i ëndrrës është ky: tri degët janë tri ditë.

13Brenda tri ditësh faraoni do të të falë, do të të rikthejë në detyrën që kishe e ti do t'ia japësh kupën në dorë, ashtu siç bëje më parë kur ishe kupëmbajtësi i tij.

14Por kur të jesh i lirë më kujto e tregohu mirëdashës me mua. Më përmend para faraonit që të më nxjerrësh nga burgu,

15sepse me dhunë më rrëmbyen nga toka e hebrenjve. Edhe këtu nuk kam bërë asgjë që të meritoj burgun».

16Kur i pari i bukëpjekësve pa se shpjegimi i ëndrrës ishte i mirë, i tha Jozefit: «Edhe unë pashë një ëndërr. Mbi krye kisha tri shporta me bukë.

17Shporta e sipërme kishte gjithfarë ushqimesh të gatuara për faraonin, por po i hanin shpendët. Ato po hanin nga shporta që ishte mbi kokën time».

18Jozefi iu përgjigj: «Kuptimi i ëndrrës është ky: tri shportat janë tri ditë.

19Brenda tri ditësh faraoni do të ta presë kokën, do të të varë në pemë e shpendët do të të hanë trupin».

20Ditën e tretë ishte ditëlindja e faraonit. Ai shtroi një gosti për gjithë shërbëtorët e tij dhe nxori para tyre të parin e kupëmbajtësve e të parin e bukëpjekësve.

21Të parin e kupëmbajtësve e rikthehu në detyrë që t'i jepte kupën në dorë.

22Ndërsa bukëpjekësin e vari, ashtu siç ua kishte shpjeguar Jozefi.

23Mirëpo i pari i kupëmbajtësve nuk u kujtua për Jozefin. Ai e harroi atë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help