1 Zoti foli me Moisiun e i tha:
2«Merr hak prej midianitëve për hir të izraelitëve. Pastaj do të vdesësh e do të varrosesh bashkë me popullin tënd».
3Moisiu i tha popullit: «Armatosni disa luftëtarë mes jush që t'i bien Midianit e të kryejnë hakmarrjen e Zotit kundër tij.
4Çdo fis i Izraelit të dërgojë një mijë luftëtarë».
5Kështu u mblodhën një mijë veta prej çdo fisi të Izraelit, gjithsej dymbëdhjetë mijë luftëtarë.
6Moisiu i dërgoi këta bashkë me Finehasin, birin e priftit Eleazar. Atij i dorëzoi enët e shenjta dhe trumbetat e kushtrimit.
7Luftuan kundër Midianit, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, dhe i vranë të gjithë meshkujt.
8Ata vranë edhe pesë mbretërit e Midianit, Eviun, Rekemin, Curin, Hurin e Rebain. Vranë me shpatë edhe Balaamin, birin e Beorit.
9Izraelitët morën rob gratë e Midianit dhe fëmijët e tyre. Plaçkitën edhe kafshët, bagëtitë e tërë pasurinë e tyre.
10I dogjën të gjitha qytetet e banuara dhe fushimet e tyre,
11por prenë që zunë, njerëz e kafshë, e morën me vete.
12I sollën te Moisiu, te prifti Eleazar dhe te bashkësia e izraelitëve, te fushimi në stepën e Moabit që është pranë Jordanit, kundruall Jerikosë.
Robërit e luftës13Atëherë Moisiu, prifti Eleazar e tërë prijësit e bashkësisë u dolën përpara që t'i takonin përjashta fushimit.
14Moisiu u zemërua me prijësit e ushtrisë, me komandantët e njësive njëmijëshe dhe njësive njëqindëshe që po ktheheshin nga beteja.
15Ai u tha: «Pse i keni lënë gjallë të gjitha femrat?
16Ishin ato që, të mësuara nga Balaami, i nxitën izraelitët të tradhtonin Zotin në rastin e Peorit dhe, prandaj, bashkësia e Zotit u godit me plagë.
17Tani vritini të gjithë fëmijët meshkuj dhe të gjitha gratë që kanë fjetur me ndonjë burrë.
18Vajzat e reja, që nuk kanë fjetur me ndonjë burrë, lërini gjallë.
19Qëndroni jashtë fushimit për shtatë ditë. Kushdo që ka vrarë dikë apo ka prekur ndonjë kufomë, të pastrohet ditën e tretë. Pastroni veten, robërit tuaj,
20të gjitha rrobat, të gjitha orenditë prej lëkure, çdo gjë të punuar me lesh dhie e të gjitha orenditë prej druri».
21Atëherë prifti Eleazar u tha luftëtarëve që kishin shkuar në luftë: «Ky është rregulli ligjor që Zoti i ka urdhëruar Moisiut:
22“Arin, argjendin, bronzin, hekurin, kallajin,
23çdo gjë që e duron zjarrin, kalojini nëpër zjarr që të pastrohen. Të pastrohen edhe me ujin e pastrimit. Çdo gjë që nuk e duron zjarrin të lahet me ujë.
24Ditën e shtatë lani rrobat tuaja, që të jeni të pastër. Atëherë mund të hyni në fushim”».
Ndarja e presë25 Zoti i tha Moisiut:
26«Ti, prifti Eleazar dhe krerët e fiseve të bashkësisë numëroni njerëzit dhe kafshët e zëna rob.
27Ndajini midis luftëtarëve që shkuan në luftë dhe tërë bashkësisë.
28Nga pjesa që u takon luftëtarëve që shkuan në luftë, merr si tagër për Zotin një kokë për çdo pesëqind njerëz, qe, gomarë e dhen.
29Këtë merre nga gjysma e tyre dhe jepja priftit Eleazar si dhuratë për Zotin.
30Nga gjysma tjetër, që u takon izraelitëve, merr një për çdo pesëdhjetë njerëz e kafshë, qofshin ato qe, gomarë apo dhen, e jepua levitëve që kujdesen për shërbesën e tendës së Zotit».
31Moisiu e prifti Eleazar bënë siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
32Shuma përfundimtare e presë së zënë nga luftëtarët ishte gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë dhen,
33shtatëdhjetë e dy mijë qe,
34gjashtëdhjetë e një mijë gomarë dhe
35tridhjetë e dy mijë femra që nuk kishin fjetur me mashkull.
36Gjysma që u takoi atyre që shkuan në luftë ishte treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind dhen,
37për të cilat tagri i Zotit ishte gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë krerë;
38tridhjetë e gjashtë mijë qe, për të cilat tagri i Zotit ishte shtatëdhjtë e dy krerë;
39tridhjetë mijë e pesëqind gomarë, për të cilat tagri i Zotit ishte gjashtëdhjetë e një krerë;
40dhe gjashtëmbëdhjetë mijë veta, për të cilat tagri i Zotit ishte tridhjetë e dy vetë.
41Tagrin e dhuratës së Zotit Moisiu ia dha priftit Eleazar, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti.
42Gjysma tjetër që Moisiu e ndau nga pjesa e luftëtarëve,
43gjysma që i takoi bashkësisë, ishte treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind dhen,
44tridhjetë e gjashtë mijë qe,
45tridhjetë mijë e pesëqind gomarë
46dhe gjashtëmbëdhjetë mijë veta.
47Nga gjysma e pjesës së izraelitëve, Moisiu mori një kokë për çdo pesëdhjetë njerëz e kafshë. Këto ua dha levitëve që kujdesen për shërbesën e tendës së Zotit, siç e kishte urdhëruar Zoti.
Kushtime48Atëherë komandantët e njësive ushtarake njëmijëshe e njëqindëshe iu afruan Moisiut
49e i thanë: «Ne, shërbëtorët e tu, i numëruan luftëtarët që komandojmë e nuk na mungon asnjëri.
50Prandaj secili i ka paraqitur Zotit si dhuratë sendet që mblodhi, stoli ari, rrathë këmbësh e duarsh, unaza, vathë e varëse. Këto të shërbejnë para Zotit si shlyerje për jetën tonë».
51Moisiu dhe prifti Eleazar morën prej tyre çdo lloj stolie të punuar me ar.
52I gjithë ari që komandantët e njësive njëmijëshe e njëqindëshe i dhuruan Zotit peshonte dyqind kilogramë.
53Luftëtarët e mbajtën për vete prenë që kishin zënë.
54Moisiu e prifti Eleazar e morën arin nga komandantët e njësive njëmijëshe e njëqindëshe dhe e sollën te tenda e takimit, që të shërbejë para Zotit si përkujtimore për izraelitët.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.