Fjalët e urta 26 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

1Nderimi për të marrin është i pavend,

si bora në verë e shiu në të korra.

2Si zog flatrues e si dallëndyshe që përendet,

kalon pa goditur mallkimi i kotë.

3Kalit, frushkullin; gomarit, frerët;

të marrit shkopin kurrizit.

4Mos iu përgjigj të marrit sipas marrëzisë së tij,

që të mos bëhesh edhe ti si ai.

5Përgjigjju të marrit sipas marrëzisë së tij,

që të mos i duket vetja i urtë.

6Kush çon fjalë me anë të të marrit,

i këput këmbët vetes e pi hidhërim.

7Si zvargia e këmbëve të të çalit,

fjala e urtë në gojën e të marrit.

8Nderimi për të marrin,

si guri lidhur në hobe.

9Si ferrat në dorën e të dehurit

është fjala e urtë në gojën e të marrit.

10Kush merr në punë të marrin dhe endacakun

është si një shigjetar që plagos këdo.

11Si qeni që kthehet në të vjellat e veta,

i marri që i kthehet marrëzisë.

12Po të shohësh një njeri që i duket vetja i urtë,

atëherë prit më shumë prej të marrit se prej tij.

13Përtaci thotë: «Luanesha në rrugë!

Luani në shesh!».

14Dera rrotullohet në menteshat e veta

e përtaci në shtratin e vet.

15Përtaci e zhyt dorën në pjatë,

por përton ta çojë te goja.

16Përtacit i duket vetja më i urtë

se shtatë vetë që përgjigjen me mend.

17Kush përzihet kalimthi në zënkat që s'i përkasin,

është si ai që kap qenin për veshi.

18Porsi i çmenduri që gjuan me shigjeta

e heshta vdekjeprurëse,

19është kush gënjen mikun

e i thotë: «Po bëja hoka!».

20Kur s'ka dru, fiket zjarri,

kur mungon shpifësi, pushojnë grindjet.

21Si thëngjilli për prushin e druri për zjarrin,

ashtu është grindaveci për grindjet.

22Fjalët e shpifësit janë si gjella e shijshme:

zbresin gjer te zorrët e barkut.

23Si shtresë argjendi në një enë balte

janë fjalët përvëluese në zemrën e ligë.

24Kush urren, shtiret me fjalë,

por brenda vetes gatuan mashtrimin.

25Mos i beso kur e hijeshon zërin,

se në zemër ka një mijë të liga.

26Edhe pse e mbulon urrejtjen me shtirje,

ligësia e tij do të dalë në shesh.

27Kush bën gropën, në gropë do të bjerë;

guri kthehet mbi atë që e rrokullis.

28Kush gënjen, i urren të gënjyerit e vet;

fjalët lajkatare përgatisin rrëzimin.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help