Isaia 17 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Profeci kundër Damaskut e Samarisë

1Profeci për Damaskun.

Damasku s'do të jetë më qytet,

grumbull rrënojash do të bëhet.

2Qytezat e Aroerit do të braktisen,

do të kthehen në kullotë për bagëtitë,

aty do të shtrihen tufat

e askush s'do t'i trazojë.

3Efraimi do të humbasë fortesat,

Damasku mbretërinë.

Teprica e Aramit

si lavdia e Izraelit do të jetë,

kumton Zoti i ushtrive.

4Atë ditë lavdia e Jakobit do të mpaket,

dhjami i trupit do t'i tretet.

5Do të ndodhë si me korrësin

që me një dorë korr grurin

e me tjetrën mbledh kallinjtë.

Do të ndodhë ashtu siç mblidhen kallëzat

në luginën e Refaimit.

6Do të mbesë ndonjë kallëz në të,

sikurse shkundet pema e ullirit,

që mbesin dy a tre kokrra në majë,

katër a pesë në degët e saj,

kumton Zoti, Perëndia i Izraelit.

7Atë ditë njeriu do të shikojë nga krijuesi i vet,

sytë e tij do të vështrojnë të shenjtin e Izraelit.

8Nuk do t'i drejtojë më sytë nga altarët

që punoi me duart e me gishtat e vet,

nuk do të vështrojë më shtyllat e Asherave

apo altarët ku digjet temjani.

9Atë ditë qytetet e tua të fortifikuara,

do të kthehen në vende të shkreta,

siç i braktisën hivitët e amoritët

për shkak të izraelitëve.

Do të mbetet veç shkretim!

10Se e harrove Perëndinë, shpëtimtarin tënd,

shkëmbin e strehimit tënd nuk e kujtove.

Prandaj edhe ke mbjellë pemë të këndshme,

ke shartuar me fidanë të huaj.

11Ditën që i mbjell, i sheh të rriten,

në mëngjes fara që hodhe lulëzon,

por korrja shuhet në ditë të ligë,

prej plagës së pashërueshme.

12Mjerë! Ja, uturimë popujsh të shumtë;

ushtojnë siç ushtojnë detet.

Ja, ulërima e kombeve;

ulërijnë si oshtima e ujërave të shumtë.

13Do të gjëmojnë kombet,

ashtu siç buçasin ujërat e shumtë,

por sapo t'i kërcënojë Zoti,

do të marrin arratinë, do të ikin larg,

të dëbuar si kashta kur e merr era maleve,

si pluhuri në vorbullën e stuhishme.

14Aty nga mbrëmja, u ka hyrë tmerri!

Para agimit, nuk janë më!

Ky është fundi i atyre që na plaçkitën,

ky është fati i atyre që na bastisën.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help