1 Mbretërve 6 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Ndërtimi i Tempullit

1Në vitin e katërqind e tetëmbëdhjetë pas daljes së Izraelit nga vendi i Egjiptit, në muajin e dytë të vitit të katërt të mbretërimit të Solomonit në Izrael, në muajin Ziv, Solomoni filloi ndërtimin e tempullit të Zotit.

2Tempulli që mbreti Solomon ndërtoi për Zotin ishte tridhjetë metra i gjatë, dhjetë metra i gjerë dhe pesëmbëdhjetë metra i lartë.

3Portiku në ballinën e anijatës së tempullit ishte dhjetë metra i gjerë, aq sa ishte edhe gjerësia e tempullit, dhe dilte pesë metra nga ballina e tempullit.

4Në tempull Solomoni vuri dritare me korniza e me rrjeta hekuri.

5Ngjitur me murin e jashtëm të tempullit, që rrethonte anijatën dhe shenjtëroren, ai ndërtoi dhoma anësore me kate.

6Kati i poshtëm i dhomave anësore ishte dy metra e gjysmë i gjerë, kati i mesëm tre metra dhe kati i tretë tre metra e gjysmë, sepse murin e jashtëm të tempullit e kishte bërë me dalje si shkallare, në mënyrë që trarët të mos hynin brenda në mur.

7Tempulli u ndërtua me gurë të latuar që në gurore, kështu që gjatë ndërtimit të tij, nuk u dëgjua as çekiç, as sëpatë e as ndonjë vegël tjetër hekuri.

8Hyrja për në katin e poshtëm ishte në anën e djathtë të tempullit. Me anë të shkallëve rrethore ngjiteshe në katin e mesëm dhe nga kati i mesëm në katin e tretë.

9Kur mbaroi ndërtimi i mureve, Solomoni e mbuloi tempullin me trarë e me dërrasa cedri.

10U ndërtuan edhe dhomat anësore përreth tempullit. Çdo kat ishte dy metra e gjysmë i lartë dhe lidhej me tempullin me trarë cedri.

11Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Solomonit:

12«Ti po e ndërton këtë tempull. Nëse ecën sipas rregullave të mia, nëse zbaton vendimet e mia dhe nëse ruan të gjitha urdhërimet e mia dhe i ndjek ato, atëherë do ta përmbush për ty premtimin që i bëra Davidit, atit tënd,

13se do të banoj mes izraelitëve dhe se nuk do ta braktis kurrë popullin tim Izraelin».

14Pasi Solomoni ndërtoi ngrehinën e tempullit,

15i veshi muret e tij me dru cedri, prej dyshemesë deri në tavan. Edhe tavanin e veshi me dru cedri, ndërsa dyshemenë e shtroi me dërrasa qiparisi.

16Në pjesën e pasme të tempullit, ai ndërtoi një ndarje dhjetë metra të gjatë dhe e veshi me dru cedri, nga dyshemeja në tavan. Kjo ndarje ishte shenjtërorja dhe quhej shenjtërorja e shenjtëroreve.

17Pjesa tjetër e tempullit, anijata, që ndodhej përpara shenjtërores, ishte njëzet metra e gjatë.

18Drurët e cedrit, që vishnin muret e brendshme të tempullit, ishin të gdhendur me trajta kungujsh dhe gonxhe lulesh të çelura. Gjithçka ishte e veshur me dru cedri dhe nuk dukej asnjë gur.

19Shenjtëroren, që ishte në pjesën e brendshme të tempullit, Solomoni e bëri gati për të vendosur arkën e besëlidhjes së Zotit.

20Shenjtërorja ishte dhjetë metra e gjatë, dhjetë metra e gjerë e dhjetë metra e lartë. Solomoni e veshi të tërën me ar të pastër, ndërsa altarin e punoi me dru cedri.

21Pjesën e brendshme të tempullit e veshi me ar të pastër dhe vuri vargonj ari përpara shenjtërores së veshur po me ar.

22Kështu, Solomoni e veshi të gjithë tempullin me ar. Edhe altarin, që ishte brenda në shenjtërore, e veshi po me ar.

23Brenda shenjtërores Solomoni punoi dy kerubë prej druri ulliri, pesë metra të lartë.

24Të dy krahët e kerubit ishin nga dy metra e gjysmë. Largësia nga maja e njërit krah deri te maja e krahut tjetër ishte pesë metra.

25Edhe kerubi i dytë kishte largësi pesë metra. Të dy kerubët kishin të njëjtat përmasa dhe të njëjtën trajtë.

26Lartësia e njërit kerub ishte pesë metra dhe po aq ishte edhe lartësia e tjetrit.

27Kerubët i vendosi në mes të dhomës së brendshme të tempullit. Kerubët i kishin krahët të hapur. Kështu, njëri krah i njërit kerub prekte njërën anë të murit dhe krahu i kerubit tjetër prekte anën tjetër të murit. Dy krahët e tjerë të kerubëve puqeshin në mes të tempullit.

28Solomoni i veshi kerubët me ar.

29Në të gjitha muret e tempullit, brenda e jashtë, ai gdhendi pamje kerubësh, palmash dhe gonxhesh të çelura.

30Edhe dyshemenë e tempullit e veshi me ar, si brenda, dhe jashtë.

31Derën e shenjtërores e bëri me dy kanate druri ulliri. Arkitrau dhe shtalkat kishin trajtën e një pesëkëndëshi.

32Mbi dy kanatet e derës ai gdhendi pamje kerubësh, palmash e gonxhesh të çelura, i veshi me ar e u dha trajtën e kerubëve dhe të palmave.

33Të njëjtën gjë bëri edhe me hyrjen e tempullit. Shtalkat i bëri me dru ulliri dhe në trajtë katërkëndëshe.

34Dy kanatet i bëri me dru qiparisi. Çdo kanat kishte nga dy pjesë që paloseshin.

35Mbi to gdhendi kerubë, palma e gonxhe të çelura dhe gdhendjet i veshi me ar në mënyrë të njëtrajtshme.

36Pastaj ndërtoi tremen e brendshme me tre rreshta gurësh të latuar e një rresht trarësh cedri.

37Themelet e tempullit të Zotit u hodhën në muajin Ziv të vitit të katërt,

38ndërsa në muajin Bul, që është muaji i tetë, të vitit të njëmbëdhjetë, mbaroi ndërtimi i tempullit dhe i gjithë pjesëve të tij, ashtu siç ishte menduar. Solomoni e ndërtoi tempullin për shtatë vjet.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help