Psalmet 25 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

1Psalm i Davidit.

Alef

Te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim,

Bet

2te ti kam besim, o Perëndia im.

Mos lejo të turpërohem,

armiqtë e mi mos ngazëllefshin mbi mua.

Gimel

3Mos u turpërofshin

gjithë sa shpresojnë te ti,

por turpi mbuloftë

ata që më kot bëjnë paudhësi.

Dalet

4O Zot, dëftemë udhët e tua,

shtigjet e tua m'i mëso.

He

5Udhëhiqmë në të vërtetën tënde

e më mëso,

Vau

se ti je Perëndia i shpëtimit tim,

te ti shpresoj tërë ditën.

Zain

6Kujto, o Zot, përdëllimet e tua

dhe mirësitë e tua,

se janë prej amshimit.

Het

7Mëkatet e rinisë sime mos i kujto,

e as shkeljet e mia,

por kujtomë me dashamirësi,

për hir të mirësisë sate, o Zot.

Tet

8I mirë e i drejtë është Zoti,

prandaj u tregon udhën mëkatarëve.

Jod

9Të përulurve u prin në drejtësi,

të përulurve ua mëson udhët e tij.

Kaf

10Tërë udhët e Zotit

janë mirësi e besnikëri

për ata që ruajnë besëlidhjen

dhe dëshmitë e tij.

Lamed

11Për hir të emrit tënd, o Zot,

fale fajin tim,

se i rëndë është.

Mem

12Kush është njeriu që druan Zotin?

Atij do t'i mësojë

cilën udhë të zgjedhë.

Nun

13Shpirti i tij do të jetojë mes të mirash,

pasardhësit e tij do të trashëgojnë dheun.

Samek

14 Zoti i këshillon ata që e druajnë,

ua bën të ditur besëlidhjen e tij.

Ain

15Sytë i kam përherë drejt Zotit,

ai do të m'i çlirojë këmbët prej lakut.

Pe

16Kthehu nga unë e mëshiromë,

se i vetmuar jam e i mjerë.

Cade

17Hidhërimet e zemrës më janë shtuar,

nga fatkeqësitë e mia çliromë.

Kof

18Shih vuajtjen dhe mundimin tim

e m'i fal të gjitha mëkatet.

Resh

19Këqyri armiqtë e mi!

Sa shumë janë shtuar,

plot tërbim e mëri më urrejnë.

Sin

20Ruaje shpirtin tim e më shpëto,

mos u turpërofsha, se te ti kërkova strehë.

Tau

21Ndershmëria e drejtësia më mbrojtshin,

se te ti e kam varur shpresën.

22Çliroje Izraelin, o Perëndi,

prej të gjitha pikëllimeve.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help