Gjoni 1 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Mishërimi i Fjalës

1Në fillim ishte Fjala.

Fjala ishte me Perëndinë.

Fjala ishte Perëndi.

2Fjala ishte që në fillim

me Perëndinë.

3Gjithçka u bë nëpërmjet tij

dhe asgjë e krijuar nuk u bë pa të.

4Në të gjendej jeta

dhe jeta ishte drita e njerëzve.

5Drita ndriçon në errësirë

dhe errësira nuk e mundi dot.

6Perëndia dërgoi një njeri

që quhej Gjon.

7Ai erdhi të jepte dëshmi

për dritën,

që të gjithë të besojnë

nëpërmjet tij.

8Ai nuk ishte drita,

por dëshmitar i dritës.

9Fjala ishte drita e vërtetë,

e cila vjen në botë

dhe ndriçon çdo njeri.

10Ai ishte në botë

dhe bota u bë

nëpërmjet tij,

por bota nuk e njohu.

11Ai erdhi te të vetët,

por të vetët nuk e pranuan.

12Atyre që e pranuan

dhe besuan në emrin e tij,

u dha të drejtën

të bëhen bij të Perëndisë.

13Ata nuk lindën prej gjakut,

as prej vullnetit njerëzor

a prej dëshirës së burrit,

por prej Perëndisë.

14Dhe Fjala u mishërua

e banoi mes nesh.

Ne e pamë lavdinë e tij,

lavdi e Birit të vetëmlindur të Atit,

plot hir e të vërtetë.

15Gjoni dëshmoi për të. Ai tha me zë të lartë: «Ky është ai për të cilin thashë: ai që vjen pas meje është më i madh se unë, sepse ishte para meje».

16Ne të gjithë morëm hir mbi hir prej plotësisë së tij.

17Ligji u dha përmes Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën përmes Jezu Krishtit.

18Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Biri i vetëmlindur që është në gjirin e Atit, ai na e bëri të njohur.

Dëshmia e Gjon Pagëzorit(Mt 3.1-12; Mk 1.2-8; Lk 3.15-17)

19Kjo është dëshmia e Gjonit kur të parët e judenjve nga Jerusalemi i dërguan priftërinj e levitë që ta pyesnin: «Kush je ti?».

20Ai nuk ngurroi të përgjigjej, por rrëfeu: «Unë nuk jam Krishti».

21Ata e pyetën: «Atëherë, kush je ti? A mos je Elia?». Gjoni tha: «Jo, nuk jam». «A mos je profeti?». Ai u përgjigj: «Jo».

22Atëherë i thanë: «Kush je ti? Se duhet t'u japim një përgjigje atyre që na dërguan. Ç'thua për veten tënde?».

23Gjoni tha: «Unë jam zëri që thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin!». Kështu kishte thënë edhe profeti Isai.

24Të dërguarit ishin nga farisenjtë.

25Ata e pyetën: «Nëse ti nuk je Krishti, as Elia e as profeti, atëherë, përse pagëzon?».

26Gjoni u përgjigj: «Unë pagëzoj me ujë, por mes jush qëndron ai që ju nuk e njihni.

27Ai vjen pas meje, por unë nuk jam i denjë as t'i zgjidh lidhëset e sandaleve».

28Të gjitha këto ndodhën në Betani, në anën tjetër të lumit Jordan, ku Gjoni po pagëzonte.

Qengji i Perëndisë

29Të nesërmen Gjoni pa Jezuin që po vinte drejt tij e tha: «Ja Qengji i Perëndisë që merr mbi vete mëkatin e botës!

30Ky është ai për të cilin ju thashë: “Pas meje vjen dikush që është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje”.

31Unë nuk e njihja atë, prandaj erdha të pagëzoj me ujë që t'ia zbuloj Izraelit».

32Gjoni dëshmoi: «Pashë Shpirtin tek zbriste prej qiellit si pëllumb e që qëndroi mbi të.

33Unë nuk e njihja atë, por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë më tha: “Ai mbi të cilin do të shohësh Shpirtin duke zbritur e duke qëndruar mbi të, është ai që do të pagëzojë me Shpirtin e shenjtë”.

34Unë e kam parë dhe dëshmoj se ky është Biri i Perëndisë».

Dishepujt e parë

35Të nesërmen, Gjoni po qëndronte sërish atje bashkë me dy prej dishepujve të tij

36dhe kur pa Jezuin që po kalonte, tha: «Ja Qengji i Perëndisë!».

37Dy dishepujt, kur dëgjuan çfarë tha Gjoni, i shkuan pas Jezuit.

38Jezui u kthye e kur pa se po i shkonin pas, i pyeti: «Çfarë kërkoni?». Ata i thanë: «Rabbi, “që do të thotë mësues”, ku banon?».

39Jezui u tha: «Ejani e shihni!». Ata shkuan, panë ku banonte dhe atë ditë qëndruan me të. Ora ishte rreth katër e pasdites.

40Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte njëri prej atyre të dyve që ndoqën Jezuin, pasi dëgjuan çfarë tha Gjoni.

41Ai takoi të parin vëllanë e vet, Simonin, e i tha: «Gjetëm Mesinë!», domethënë Krishtin.

42Pastaj e çoi atë te Jezui, i cili sapo e pa, i tha: «Ti je Simoni, biri i Gjonit. Ti do të quhesh Kefa», që do të thotë Pjetër, shkëmb.

Thirrja e Filipit dhe Natanaelit

43Të nesërmen, Jezui vendosi të shkojë në Galile. Ai takoi Filipin e i tha: «Më ndiq!».

44Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas e i Pjetrit.

45Filipi gjeti Natanaelin e i tha: «E gjetëm atë për të cilin kanë shkruar Moisiu në ligj dhe profetët, Jezuin nga Nazareti, birin e Jozefit».

46Natanaeli e pyeti: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?». «Eja e shih!», iu përgjigj Filipi.

47Jezui pa Natanaelin që po shkonte drejt tij e tha për të: «Ja një izraelit i vërtetë tek i cili nuk ka mashtrim!».

48Natanaeli e pyeti: «Nga më njeh?». Jezui iu përgjigj: «Të pashë kur ishe nën fik, përpara se të të thërriste Filipi».

49Natanaeli tha: «Mësues, ti je Biri i Perëndisë! Ti je mbreti i Izraelit!».

50Jezui i tha: «Ti beson vetëm sepse të thashë se të pashë nën fik? Do të shohësh gjëra edhe më të mëdha!».

51Pastaj Jezui i tha: «Me të vërtetë po ju them: do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help