Jeremia 13 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Brezi

1Kështu më tha Zoti: «Shko e blej për vete një brez prej liri dhe vëre rreth ijëve pa e futur në ujë».

2E bleva brezin, siç më kishte thënë Zoti, dhe e vura rreth ijëve.

3Pastaj, fjala e Zotit m'u drejtua për së dyti:

4«Merre brezin që bleve dhe ke në ijë, ngrihu, shko në Eufrat dhe fshihe atje, në plasën e një shkëmbi».

5Atëherë shkova dhe e fsheha në Eufrat, siç më kishte urdhëruar Zoti.

6Pas shumë ditësh, Zoti më tha: «Ngrihu, shko në Eufrat dhe merre prej andej brezin që të urdhërova të fshehësh atje».

7Shkova në Eufrat, gërmova dhe e mora brezin nga vendi ku e kisha fshehur. Dhe, ja, brezi ishte shpërbërë e s'i duhej gjë kujt.

8Atëherë m'u drejtua fjala e Zotit e më tha:

9«Kështu thotë Zoti: njësoj do ta shpërbëj krenarinë e Judës dhe krenarinë e madhe të Jerusalemit.

10Ky popull i mbrapshtë, që nuk pranon të dëgjojë fjalët e mia, që jeton në zemërngurtësi e shkon pas perëndive të huaj për t'u shërbyer e për t'i adhuruar, do të jetë si ky brez, që s'i duhet gjë kujt.

11Sepse, siç ngjishet brezi ijëve të një burri, ashtu e pata ngjeshur rreth meje mbarë shtëpinë e Izraelit e mbarë shtëpinë e Judës, kumton Zoti, që të ishin populli im, emri im, lavdi im e nderi im, por nuk më dëgjuan.

Kacekët

12Do t'u thuash këtë fjalë: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: çdo kacek duhet të mbushet me verë”. E ata do të të thonë: “A nuk e dimë se çdo kacek duhet të mbushet me verë?”.

13Atëherë ti do t'u thuash: “Kështu thotë Zoti: ja, do t'i bëj rrumbull e do t'i deh të gjithë banorët e kësaj toke, mbretërit që ulen mbi fronin e Davidit, profetët e mbarë banorët e Jerusalemit.

14Do t'i përplas me njëri-tjetrin, etër e bij njësoj, kumton Zoti. As dhimbja, as keqardhja, as mëshira nuk do të më ndalojnë t'i rrënoj”».

Shpërngulja

15Dëgjoni, mbani vesh e mos u krenoni,

se është Zoti ai që po flet.

16Jepini lavdi Zotit, Perëndisë tuaj,

para se të bjerë terri

e para se t'u pengohen këmbët

mbi male në mugëtirë.

Ju prisni dritën,

por ai e kthen në terratisje

e kthen në sterrë.

17Nëse nuk do të dëgjoni,

do të më vajtojë shpirti në fshehtësi

prej mendjemadhësisë suaj.

Lot do të derdhin e do të rrjedhin sytë e mi,

se do të robërohet grigja e Zotit.

18Thuajini mbretit e nënës mbretëreshë:

«Uluni poshtë,

se ju ra prej kokës

kurora e shkëlqimit tuaj».

19U ndrynë qytetet e Negevit

e nuk ka kush t'i hapë,

u shpërngul Juda mbarë,

krejt u shpërngul.

20Çojini sytë,

shikoni ata që vijnë nga veriu.

Ku është tufa që të është dhënë,

grigja jote e bukur?

21Çfarë do të thuash,

kur ai të vërë mbi ty

ata që i zure miq?

A nuk do të të zënë dhimbjet

si gruan kur lind?

22E nëse thua në zemrën tënde:

«Përse më goditën këto?»,

shkak është paudhësia jote e madhe

që të është përvjelë fundi

e je përdhunuar.

23A mund të ndërrojë lëkurë kushiti,

apo leopardi njollat?

Po ju, të mësuar të bëni keq,

a mund të bëni mirë?

24Do t'ju shpërndaj si bykun

që e merr era e shkretëtirës.

25Ky është shorti yt,

pjesa që mata për ty, kumton Zoti,

se më harrove mua

e i besove mashtrimit.

26Prandaj edhe unë do të ta ngre fundin deri në fytyrë,

që të shihet turpi yt.

27I shoh kurvëritë e tua,

ofshamat e tua,

ligësinë e tradhtive të tua,

pështirësitë e tua, në kodrinat e arave.

Mjerë ti, Jerusalem!

Ti nuk je i pastër.

Deri kur?

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help