Psalmet 50 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

1Psalm i Asafit.

Perëndia, Zoti Perëndi, foli,

tokën mbarë mblodhi

nga lindja në perëndim të diellit.

2Prej Sionit, bukurisë së përkryer,

Perëndia shkëlqeu.

3Perëndia ynë po vjen e nuk do të heshtë,

i paraprin zjarri që përpin,

përreth tij thëllimi i tërbuar.

4Thërret qiejt prej së larti bashkë me tokën,

për të gjykuar popullin e tij:

5«Mblidhuni tek unë, o besnikë,

ju që me fli besëlidhjen me mua lidhët».

6Qiejt shpallin drejtësinë e tij,

se gjykatës është vetë Perëndia. selah

7«Dëgjomë, o populli im,

dua të flas, o Izrael!

Kam për të dëshmuar kundër teje,

unë jam Perëndia, Perëndia yt.

8Nuk po të qortoj për flitë e tua,

flitë e tua të shkrumbimit i kam përherë përpara.

9Mëzat nuk do të pranoj prej shtëpisë sate

e as cjap prej tufave të tua.

10Se të miat janë tërë kafshët e pyllit,

egërsirat e mijëra male.

11I njoh tërë shpendët e lartësive,

gjallesat e fushës janë të miat.

12Po të kisha uri, s'do të të lypja ty,

e imja është bota e gjithçka në të.

13Mos do të ha gjë mish demash,

a do të pi gjak cjepsh?

14Kushtoji Perëndisë fli përlëvdimi

e përmbushi betimet ndaj të Tejlartit.

15Ditën e fatkeqësisë më thirr,

do të të shpëtoj e do të më lavdërosh». selah

16E të paudhit Perëndia i thotë:

«Përse, vallë, i shpall rregullat e mia,

përse goja jote flet për besëlidhjen time,

17kur ti e urren qortimin

e fjalët e mia i hedh pas shpine?

18Kur sheh një vjedhës, shoqërohesh me të,

me kurorëshkelësit bëhesh bashkë.

19Gojën ia ke kushtuar së keqes,

gjuha jote thur mashtrime.

20Ulesh e flet kundër vëllait tënd,

shpif kundër birit të nënës sate.

21Këto i ke bërë e unë kam heshtur,

ke menduar se jam si ti.

Por, ja, ku po të qortoj

e po t'i përplas para syve».

22Kuptojeni, pra, mirë këtë gjë,

ju që Perëndinë harroni,

në mos do t'ju bëj copë e çikë

e s'do të ketë kush t'ju shpëtojë.

23Kush më kushton fli përlëvdimi më nderon,

atij që ecën udhës së drejtë

do t'i tregoj shpëtimin e Perëndisë.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help