Jobi 39 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

1«A e di ti kur pjellin dhitë e malit?

A i ke vrojtuar drenushat kur lindin?

2Ua ke njehur vallë plotësimin e muajve?

Ua di vallë kohën e pjelljes,

3kur shtrihen e lindin të vegjlit

dhe nxjerrin në dritë frytin e dhimbjes?

4Mëkëmben këlyshët e tyre e rriten përjashta,

ikin e më tek ato nuk kthehen.

5Kush e lëshoi në liri gomarin e egër?

Kush ia zgjidhi litarin mushkës,

6të cilës i caktova si shtëpi shkretëtirën

e si vendbanim dheun kripor?

7Ai e përqesh rrëmujën e qytetit

e nuk i dëgjon klithmat e ndjekësve.

8Endet kullotave të veta malore

e kërkon çdo bimë të blertë.

9A pranon bizoni të të shërbejë?

A e kalon natën në stallën tënde?

10A e vë dot në brazdë për laku?

A do të vijë pas teje duke pluguar?

11A do t'i zësh besë atij, se është shumë i fortë,

e do t'ia ngarkosh atij punën tënde?

12A beson se ai do të kthehet

e do ta sjellë farën në lëmë?

13Gëzueshëm i rreh krahët struci,

por zogjtë i bën pa pendë e pupla,

14vezët përtokë i vë

e në pluhur i ngroh,

15ndonëse këmba mund t'i shkelë

e bisha mund t'i shtypë.

16Ashpër sillet me zogjtë,

a thua se s'janë të vetët

e s'ka frikë se punon kot.

17Se ia hoqi Perëndia urtinë

e s'ia dha zgjuarsinë.

18Kur ngrihet e flatron,

kalë e kalorës përqesh.

19A ia jep ti kalit fuqinë?

Krifën në qafë, vallë, ti ia vure?

20A e bën ti të kërcejë si karkalec?

Hingëllima e tij madhështore tmerron.

21Hareshëm thundron me forcë në luginë,

armëve përballë u del.

22E përbuz frikën e nuk tutet,

nuk zbythet para shpatës.

23Nga pas i tringëllon kukura,

heshta përshkënditëse e shtiza.

24Me tërbim e furi dheun ha

e as zëri i borisë nuk e ndal.

25Kur bie boria, thotë: “Hihi!”.

Nga larg nuhat luftën,

britmën e prijësve e gjëmën e betejës.

26Mos flatron skifteri falë dijes sate

e krahët drejt jugut i hap?

27Mos vallë nën urdhrin tënd lartohet shqiponja

e në lartësi folenë vë?

28Mbi shkëmb ajo ngul

e mbi prita kreshtash shkëmbore bun.

29Prej andej e vrojton prenë,

prej larg sytë e saj e shohin.

30Zogjtë e saj pinë gjak

e ku ka të vrarë, aty ajo gjendet».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help