1Pastaj, i shtyrë nga Shpirti, Jezui shkoi në shkretëtirë që të tundohej nga djalli.
2Pasi agjëroi për dyzet ditë e dyzet net, Jezuin e mori uria.
3Atëherë erdhi tunduesi tek ai e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë».
4Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar:
njeriu nuk jeton
vetëm me bukë,
por me çdo fjalë
që del nga goja e Perëndisë».
5Pastaj djalli e çoi në qytetin e shenjtë, e vuri në pikën më të lartë të tempullit
6e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar:
do t'i urdhërojë engjëjt e tij
të të ruajnë
dhe ata do të të mbajnë
në duart e tyre,
që mos të të ndeshë këmba në gur».
7Jezui i tha: «Është shkruar:
mos e tundo Zotin,
Perëndinë tënd».
8Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë e i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre.
9Dhe i tha Jezuit: «Do të t'i jap të gjitha këto nëse bie në gjunjë e më adhuron».
10Atëherë Jezui i tha: «Shporru, Satan, sepse është shkruar:
adhuro Zotin, Perëndinë tënd,
dhe shërbeji vetëm atij».
11Atëherë djalli u largua nga Jezui dhe, ja, erdhën engjëjt e i shërbenin.
Shërbesa në Galile(Mk 1.14-15; Lk 4.14-15)12Kur Jezui dëgjoi se Gjonin e kishin burgosur, u largua për në Galile.
13Nuk qëndroi në Nazaret, por shkoi për të jetuar në Kafarnaum, qytet pranë liqenit, në tokën e Zabulonit e të Neftalimit,
14që të përmbushej çfarë kishte thënë profeti Isai:
15 tokë e Zabulonit
dhe tokë e Neftalimit,
në rrugën drejt detit, përtej Jordanit,
Galile e kombeve!
16 Populli që ishte në errësirë
pa një dritë të madhe
dhe për ata që ishin
në vendin e hijes së vdekjes
zbardhi drita.
17Që atëherë Jezui filloi të predikonte e të thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër».
Thirrja e katër peshkatarëve(Mk 1.16-20; Lk 5.1-11)18Ndërsa po ecte bregut të liqenit të Galilesë, Jezui pa dy vëllezër, Simonin që quhej Pjetër dhe Andrean, vëllanë e tij, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë.
19Jezui u tha: «Ejani pas meje dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish».
20Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij.
21Pak më tutje Jezui pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në një varkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke arnuar rrjetat dhe i thirri.
22Ata lanë menjëherë varkën dhe të atin e shkuan pas tij.
Jezui predikon dhe shëron(Lk 6.17-19)23Jezui shkonte nëpër Galile duke mësuar njerëzit në sinagoga, duke shpallur ungjillin e mbretërisë e duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë në popull.
24Kështu, për të u hap fjala në gjithë Sirinë. Atëherë i sollën të gjithë të sëmurët, njerëz të prekur nga sëmundje e dhimbje të ndryshme, të pushtuar nga djalli, me sëmundjen e tokës e të paralizuar, dhe ai i shëroi.
25Turma të mëdha njerëzish nga Galilea e Dekapoja, nga Jerusalemi, Judeja e përtej Jordanit, shkonin pas tij.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.