Isaia 53 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

1Kush, pra, i besoi lajmit tonë?

Kujt iu zbulua krahu i fuqishëm i Zotit?

2Para tij u rrit si filizi,

porsi rrënja prej tokës së thatë.

S'kishte as pamje, as bukuri,

që të na tërhiqte shikimin.

S'kishte as paraqitje,

që të na pëlqente.

3I përçmuar, i përbuzur prej njerëzve,

njeri i vuajtur, i mësuar me dhimbjen,

si ai, para të cilit mbulohet fytyra,

i përçmuar e krejt pa vlerë prej nesh.

4Por ja, ai mbajti vurratat tona,

dhimbjet tona i mbarti!

Për ne, ai ishte njeri i ndëshkuar,

i goditur prej Perëndisë, i poshtëruar!

5E pra, ai u shporua për shkeljet tona,

u shtyp për paudhësitë tona.

Ndëshkimi që na dha paqen, ra mbi të,

prej vurratave të tij ne u shëruam.

6Të gjithë endeshim si dele të humbura,

secili prej nesh ndiqte udhën e vet.

E Zoti ngarkoi mbi të

paudhësinë e ne të gjithëve.

7I keqtrajtuar, duroi poshtërimin,

gojën nuk e hapi.

Porsi qengji, që e çojnë në thertore,

si shqerra, që s'bëzan para qethësit,

gojën ai nuk e hapi.

8Me dhunë e me gjyq e mbërthyen,

për fatin e tij kush mendoi?

Se e zhbinë nga toka e të gjallëve,

për shkeljet e popullit tim u godit.

9Varrin ia vunë me të paudhët,

kur vdiq e vunë me pasanikët,

ndonëse nuk bëri asgjë të dhunshme

e mashtrim prej gojës nuk i doli.

10Por Zoti deshi ta shtypte përmes dhimbjes,

se, po ta jepte veten e tij si fli faji,

do të shihte pasardhës e do të jetonte gjatë,

e përmes tij dëshira e Zotit do t'ia dalë mbanë.

11Prej mundimit të vetes së vet,

do të arrijë të shohë e do të kënaqet,

me dijen e tij shumë do të shfajësojë shërbëtori im i drejtë

e mbi vete mëkatet e tyre do të mbartë.

12Prandaj, do t'i jap turmat si shpërblim,

të fuqishmit si plaçkë ai do t'i marrë,

se e zbrazi veten deri në vdekje,

me të paudhët e radhitën.

Mëkatet e shumë njerëzve ai mbarti,

për shkelësit ai ndërmjetësoi.

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help