Zakaria 6 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Vegimi i karrocave

1Ngrita sërish sytë e, ja, pashë katër karroca që po dilnin mes dy malesh. Malet ishin prej bronzi.

2Kuajt e karrocës së parë ishin të kuq, ata të karrocës së dytë të zinj,

3të karrocës së tretë të bardhë e të karrocës së katërt laramanë. Kuajt ishin të fuqishëm.

4Atëherë i thashë engjëllit që po fliste me mua: «Çfarë janë këto, imzot?».

5Engjëlli m'u përgjigj: «Këto janë katër erërat e qiellit, që dalin pasi paraqiten para Zotit të mbarë tokës».

6Karroca me kuaj të zinj u nis drejt veriut, ajo me kuaj të bardhë u nis më pas dhe ajo me kuaj laramanë u nis drejt jugut.

7Kuajt turfullonin e mezi pritnin të përshkonin tokën. Ai u tha: «Shkoni e bjerini tokës kryq e tërthor!». Kështu, ata dolën dhe përshkuan tokën.

8Ai më thirri e më tha: «Shih, ata që dolën drejt veriut i kanë dhënë prehje shpirtit tim në tokën e veriut».

Kurorat

9Fjala e Zotit m'u drejtua:

10«Merri dhuratat e të mërguarve, prej Heldait, prej Tobisë e prej Jedajahut, që u kthyen nga Babilonia e shko te shtëpia e Josisë, birit të Sofonisë.

11Merre argjendin e arin e bëj kurora. Vendose në kokën e kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut e

12thuaji: “Kështu thotë Zoti i ushtrive: ja, ai që quhet pinjoll, do të mbijë që këtu e do të ndërtojë tempullin e Zotit.

13Ai do ta ndërtojë tempullin e Zotit, do të ketë lavdi e do të sundojë ulur mbi fron. Në fron do të ulet edhe një prift e mes tyre do të ketë paqe”.

14Kurorat të rrinë në tempullin e Zotit si përkujtimore në nder të Helemit, Tobisë, Jedajahut e Henit, birit të Sofonisë.

15Edhe nga larg do të vijnë njerëz për të ndërtuar tempullin e Zotit. Kështu do ta dini që Zotit i ushtrive më dërgoi te ju. Kjo gjë ka për të ndodhur nëse me të vërtetë e dëgjoni zërin e Zotit, Perëndisë tuaj».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help