Ligji i përtërirë 33 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Bekimi përfundimtar

1Moisiu, njeriu i Perëndisë, i bekoi kështu izraelitët para se të vdiste:

2«Zoti erdhi prej Sinait,

prej Seirit rrezatoi mbi ta,

vezulloi prej malit Paran,

bashkë me mijëra të shenjtë.

Zjarr flakërues,

lëshonte dora e tij e djathtë.

3Ti që popujt i do,

në dorë i ke gjithë të shenjtët.

Nën këmbët e tua, ata përulen,

e fjalën tënde zbatojnë,

4ligjin, që na dha Moisiu,

si trashëgimi për bashkësinë e Jakobit.

5Mbret i Jeshurunit u bë Zoti,

kur u mblodhën krerët e popullit,

të gjitha fiset e Izraelit.

6Rroftë Rubeni e mos u shoftë,

edhe pse i vogël në numër».

7Këtë i tha Judës:

«Dëgjoje, o Zot, zërin e Judës,

ktheje te populli i vet.

Duart i pastë gati për luftë,

prej kundërshtarëve shpëtoje».

8Levit i tha:

«Tumimi e Urimi yt,

qoftë me besëtarin.

Atë e sprovove në Masë,

në ujërat e Meribës me të u grinde.

9Për nënën e atin e vet tha:

“Nuk i këqyr!”,

vëllanë nuk e pranoi,

bijtë e vet nuk i njohu,

për të mbajtur fjalën tënde,

besëlidhjen tënde për të ruajtur.

10Do t'ia mësojë Jakobit vendimet e tua,

Izraelit, ligjin tënd.

Temjan do të djegin para teje,

fli shkrumbimi mbi altarin tënd.

11Bekoje, o Zot, fuqinë e tij,

pranoji veprat e duarve të tij.

Kundërshtarët e tij këputi në mes,

mos ngritshin më krye armiqtë e tij».

12Benjaminit i tha:

«I dashuri i Zotit jeton i sigurt pranë tij,

gjithë ditën nën mbrojtjen e tij.

Në kraharorin e Zotit banon ai».

13Jozefit i tha:

«Toka e tij, bekim prej Zotit,

prej stolive të vesës së qiellit,

të ujërave që shtrihen nën dhe,

14prej dhuratave që prodhon dielli,

që sjell çdo hënë e re,

15prej të përzgjedhurave të bjeshkëve të moçme,

prej begatisë së kodrave të amshuara,

16prej të mirave e plotësisë së dheut,

dhe përkrahjes së atij që në shkurre u duk.

Ia mbulofshin kryet Jozefit,

ballin e të shuguruarit mes vëllezërve.

17Madhështor si i parëlinduri i mëzatit,

e me bri si ato të kaut,

që me to shpon popujt

e tokën anekënd.

E tillë është moria e Efraimit

e mijërat e Manaseut».

18Zabulonit i tha:

«Gëzohu, o Zabulon, në rrugëtimet e tua

e ti Isahar në tendat e tua.

19Do të thërrasin popujt në mal,

për të kushtuar fli drejtësie.

Do të gëzojnë pasuritë e detit

e thesaret e fshehta të rërës».

20Gadit i tha:

«Bekuar qofshin hapësirat e Gadit,

si luan ai shtrihet

e shqyen fund e krye.

21Zgjodhi për vete më të mirën,

se kur krerët e popullit u mblodhën,

hise prijësish ai mori.

Drejtësinë e Zotit, ai zbatoi,

vendimet e tij bashkë me Izraelin».

22Danit i tha:

«Dani është pjellë luani

që kërcen prej Bashanit».

23Neftaliut i tha:

«Neftaliu u kënaq me hir,

përplot me bekimet e Zotit.

Zotëron perëndimin e jugun».

24Asherit i tha:

«Qoftë Asheri ndër më të bekuarit e fëmijëve,

i pëlqyeshëm ndër vëllezërit e tij.

Këmbët i laftë me vaj.

25Shulat i pastë prej hekuri e bronzi

e fuqia i qoftë përjetë».

26«Nuk ka si Perëndia, o Jeshurun.

Kalëron qiej e re me madhështi,

që në ndihmë të të vijë.

27Strehë është Perëndia i amshuar,

përkrahje krahët e tij të përjetshëm.

Armiqtë i zbon para teje,

“Shkatërrojini”, ai urdhëron.

28Izraeli banon i sigurt,

rrjedha e Jakobit e qetë,

në tokën e drithit e të verës,

ku vesa e qiellit rigon.

29Lum ti, o Izrael.

Cilin popull shpëtoi Zoti si ti?

Ai është mburoja që të mbron,

shpata që lavdi të sjell.

Armiqtë do të të lëpihen,

e ti do t'i shtypësh me këmbë».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help