Ezekieli 9 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Vrasja e idhujtarëve

1Pastaj më bërtiti në veshë me zë të lartë e më tha: «U afruan ndëshkuesit e qytetit, secilin me armën e ndëshkimit në dorë».

2Dhe, ja, gjashtë burra erdhën nga drejtimi i portës së epërme, me pamje nga veriu, secili me armën e ndëshkimit në dorë. Mes tyre ishte edhe një burrë veshur me li, me një trastë shkruesi në ijë. Ata erdhën e u ndalën bri altarit prej bronzi.

3Lavdia e Perëndisë së Izraelit ishte ngritur nga kerubi mbi të cilin prehej, drejt pragut të tempullit. Ai thirri njeriun e veshur me li, që kishte trastën e shkruesit në ijë.

4Zoti i tha: «Kalo përmes qytetit, përmes Jerusalemit, dhe vëru një Tau në ballë burrave që psherëtijnë e rënkojnë për shkak të të gjitha pështirësive që ndodhin mes tyre».

5Të tjerëve u tha, ndërsa unë po dëgjoja: «Kaloni nëpër qytet, ndiqeni e qëllojeni! Mos të ketë mëshirë syri juaj e mos kini dhembshuri!

6Vritni pleq, të rinj, vajza, foshnja e gra, por mos prekni askënd që mbart Taun! Filloni nga shenjtërorja ime!». Ata filluan nga pleqtë që ishin para tempullit.

7Pastaj u tha: «Përdhoseni edhe tempullin e mbushni tremet me të therurit. Tani dilni!». Ata dolën dhe e goditën qytetin.

8Ndërsa po e godisnin qytetin, unë mbeta vetëm. Atëherë rashë me fytyrë përdhe e thashë: «Ah, Zoti im, o Zot, a do ta shkatërrosh ti vetë tërë tepricën e Izraelit, duke zbrazur zemërimin tënd mbi Jerusalemin?».

9Ai më tha: «Ligësia e Izraelit dhe e Judës është tepër e rëndë. Toka është ngopur me gjak e qyteti është mbushur me shthurje. Se ata thonë: “Zoti e ka braktisur vendin, Zoti nuk shikon”.

10Atëherë as unë, as syri im nuk do të kenë mëshirë e nuk do të kem dhembshuri. Do t'u bien mbi kokë veprat e tyre».

11Dhe, ja, njeriu i veshur me li, me trastën e shkruesit në ijë, u kthye për të treguar e tha: «Veprova sipas të gjitha urdhrave që më dhe».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help