Psalmet 132 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

1Këngë shtegtimesh.

Kujto, o Zot, Davidin

dhe gjithë mundimet e tij,

2si iu betua Zotit,

si iu zotua të fuqishmit të Jakobit:

3«Nuk do të hyj nën pullazin e shtëpisë sime,

nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,

4nuk do t'u jap gjumë syve të mi

e as dremitje qepallave të mia,

5derisa të gjej një vend për Zotin,

një banesë për të fuqishmin e Jakobit».

6Ja, dëgjuam se arka ishte në Efratë,

e gjetëm në fushat e Jaarit.

7Le të hyjmë në banesën e Zotit,

le të përkulemi me nderim

te shtroja e këmbëve të tij.

8Ngrihu, o Zot,

dhe eja në vendin e prehjes sate,

ti dhe arka jote e fuqishme.

9Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi

dhe besnikët e tu le të brohorasin.

10Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd,

mos e hidh poshtë të vajosurin tënd.

11 Zoti iu betua me të vërtetë Davidit

e nuk do ta shkelë betimin:

«Do të vë mbi fronin tënd

një nga frytet e barkut tënd.

12Në mbajtshin bijtë e tu besëlidhjen time

dhe dëshmitë që do t'u mësoj,

edhe bijtë e tyre përgjithmonë

mbi fronin tënd do të ulen».

13Ja, Zoti zgjodhi Sionin,

atë pëlqeu për banesë të tij.

14«Ky do të jetë përjetë vendi i prehjes sime,

këtu do të banoj, se më pëlqen.

15Prodhimet e tij do t'i bekoj pa masë,

të varfrit e tij do t'i ngij me bukë.

16Priftërinjtë e tij do t'i vesh me shpëtim,

besnikët e tij do të brohorasin nga gëzimi.

17Atje do t'i rrit Davidit një pinjoll,

e kam gati llambën për të vajosurin tim.

18Armiqtë e tij do t'i vesh me turp,

por mbi kokë do t'i shkëlqejë kurora».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help