1Për tre vjet nuk pati luftë ndërmjet Aramit dhe Izraelit.
2Vitin e tretë, Joshafati, mbreti i Judës shkoi të takohej me mbretin e Izraelit.
3Mbreti i Izraelit u tha shërbëtorëve të tij: «A e dini se Ramoti i Gileadit na përket neve? Përse nuk bëjmë asgjë për t'ia marrë nga duart mbretit të Aramit?».
4Atëherë Ahabi i tha Joshafatit: «A do të vish me mua të luftojmë për Ramotin e Gileadit?». Joshafati i tha mbretit të Izraelit: «Unë dhe ti jemi një. Luftëtarët e mi janë të tutë dhe kuajt e mi janë të tutë».
5Joshafati i tha Ahabit, mbretit të Izraelit: «Të lutem, veçse, këshillohu që sot me Zotin».
6Atëherë mbreti i Izraelit mblodhi profetët, rreth katërqind në numër, e u tha: «A të shkoj në luftë për Ramotin e Gileadit apo të heq dorë?». Profetët i thanë: «Shko, sepse Zoti ka për t'ia dorëzuar mbretit».
7Por Joshafati pyeti: «A ka ndonjë profet tjetër të Zotit, me të cilin mund të këshillohemi?».
8Mbreti i Izraelit iu përgjigj Joshafatit: «Ka edhe një profet tjetër, me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin. Është Mikahu, biri i Imlahut, por unë e urrej, sepse ai nuk profetizon asnjëherë mirë për mua, por vetëm keq». Joshafati i tha: «Mos fol ashtu, o mbret!».
9Atëherë mbreti i Izraelit thirri një nga zyrtarët e i tha: «Më sill shpejt Mikahun, të birin e Imlahut!».
10Mbreti i Izraelit dhe Joshafati, mbreti i Judës, ishin ulur te sheshi pranë portave të qytetit të Samarisë, secili në fronin e vet, veshur me stoli mbretërore, ndërsa profetët profetizonin para tyre.
11Sedekia, biri i Kenanahut, bëri brirë hekuri e tha: «Kështu thotë Zoti: me këta brirë do ta shposh tejpërtej Aramin derisa ta shkatërrosh krejt».
12Po ashtu profetizuan edhe profetët e tjerë e thanë: «Shko në Ramot të Gileadit e të priftë e mbara! Zoti ka për t'ia dorëzuar mbretit».
Mikahu parathotë humbjen13Lajmëtari, që kishte shkuar për të thirrur Mikahun, i tha: «Të gjithë profetët kanë profetizuar njëzëri mbarësi për mbretin. Le të jetë edhe fjala jote e mirë si fjala e tyre e të profetizosh mbarësi».
14Mikahu i tha: «Pasha Zotin, do të them çfarë të më thotë Zoti».
15Mikahu shkoi te mbreti e mbreti i tha: «Mikah, a të shkojmë në luftë për Ramotin e Gileadit apo të heqim dorë?». Mikahu u përgjigj: «Shko e të priftë e mbara! Zoti do t'ia dorëzojë qytetin mbretit».
16Por mbreti i tha: «Sa herë duhet të të përbej, që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?».
17Mikahu i tha: «Pashë mbarë Izraelin të hapërdarë nëpër male si delet pa bari. E Zoti thotë: “Nuk kanë më prijës. Le të kthehen nëpër shtëpitë e tyre në paqe”».
18Atëherë mbreti i Izraelit i tha Joshafatit: «A nuk të thashë se ai nuk profetizon asnjëherë mirë për mua, por vetëm keq?».
19Mikahu i tha: «Dëgjo, pra, fjalën e Zotit: Pashë Zotin të ulur në fron dhe tërë ushtritë qiellore të engjëjve, që i qëndronin në të djathtë e në të majtë.
20E atëherë Zoti tha: “Kush do ta mashtrojë Ahabin, që të shkojë e të sulmojë Ramotin e Gileadit?”. Njëri thoshte ky e tjetri thoshte ai.
21Atëherë doli një shpirt, u paraqit para Zotit e tha: “Do ta mashtroj unë”. Zoti e pyeti: “Si?”.
22Shpirti tha: “Do të shkoj e do t'i bëj të gjithë profetët e tij të thonë gënjeshtra”. Atëherë Zoti i tha: “Po, kështu do ta mashtrosh vërtet. Shko e bëj siç the!”.
23Kështu, pra, Zoti ka futur një shpirt gënjeshtar në gojën e të gjithë profetëve të tu, sepse në të vërtetë Zoti ka folur për fatkeqësi kundër teje».
24Atëherë Sedekia, biri i Kenanahut, iu afrua Mikahut, i ra me shpullë në faqe e i tha: «Si doli shpirti i Zotit prej meje, që të flasë përmes teje?».
25Mikahu iu përgjigj: «Do ta shohësh ditën që do të vraposh për t'u fshehur në dhomën më të thellë të shtëpisë».
26Atëherë mbreti i Izraelit tha: «Merreni Mikahun dhe çojeni tek Amoni, qeveritari i qytetit, dhe te Joashi, djali i mbretit,
27e thuajuni ta fusin në burg me urdhër të mbretit dhe ta ushqejnë vetëm me pak bukë e ujë, derisa të kthehem unë shëndoshë e mirë».
28Mikahu i tha: «Nëse vërtet kthehesh shëndoshë e mirë, atëherë Zoti nuk ka folur përmes meje». E shtoi: «Mbani vesh, të gjithë ju, o njerëz!».
Vdekja e Ahabit29Mbreti i Izraelit dhe Joshafati, mbreti i Judës, shkuan për të sulmuar Ramotin e Gileadit.
30Mbreti i Izraelit i tha Joshafatit: «Unë do të ndërroj rrobat për të mos u njohur e do të shkoj për të luftuar, ndërsa ti mbaj veshur rrobat mbretërore». Mbreti i Izraelit ndërroi rrobat dhe shkoi për të luftuar.
31Mbreti i Aramit u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy prijësve të qerreve të luftës: «Mos sulmoni as luftëtarin e thjeshtë e as krerët e tyre, por vetëm mbretin e Izraelit».
32Kur prijësit e qerreve panë karrocën e Joshafatit, menduan se ishte mbreti i Izraelit, prandaj dhe iu vërsulën. Joshafati ia dha ulërimës.
33Prijësit e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit dhe hoqën dorë nga ndjekja.
34Por një luftëtar tendosi rastësisht harkun dhe shigjeta goditi mbretin e Izraelit mes brezit e parzmores. Atëherë mbreti i tha karrocierit të vet: «Kthehu e më nxirr nga beteja, sepse jam plagosur».
35Atë ditë beteja qe shumë e ashpër. Mbretin e Izraelit e mbështetën mbi karrocën e tij ballë për ballë me luftëtarët e Aramit. Në mbrëmje mbreti vdiq. Gjaku i plagës kishte rrjedhur deri poshtë karrocës.
36Kur po perëndonte dielli, në mbarë fushën e betejës u dha kushtrimi: «Secili të kthehet në qytetin e vet! Secili në vendin e vet!».
37Kështu, mbreti vdiq dhe e sollën për ta varrosur në Samari.
38Kur lanë karrocën e mbretit te një pellg i madh uji në Samari, qentë lëpinë gjakun e tij dhe laviret u lanë, sipas fjalës që kishte thënë Zoti.
39Bëmat e tjera të Ahabit dhe të gjitha veprat e tij, pallati prej fildishi dhe të gjitha qytetet që ndërtoi, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.
40Ahabin e varrosën me paraardhësit e tij. Pas tij mbretëroi Ahazjahu, i biri.
Mbretërimi i Joshafatit në Judë41Në vitin e katërt të mbretërimit të Ahabit, mbretit të Izraelit, Joshafati u bë mbreti i Judës.
42Joshafati ishte tridhjetë e pesë vjeç kur u bë mbret. Ai mbretëroi njëzet e pesë vjet në Jerusalem. E ëma e Joshafatit ishte bija e Shilhiut dhe quhej Azuba.
43Joshafati u soll si i ati, Asai. Nuk u shmang e bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit.
44 Megjithatë faltoret në vende të larta nuk u shkatërruan dhe populli vazhdonte të kushtonte fli dhe të digjte temjan në to.
45Joshafati jetoi në paqe me mbretin e Izraelit.
46Bëmat e tjera të Joshafatit, trimëritë dhe luftrat që bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës.
47Joshafati i zhduku prej vendit lavirët e kultit, që kishin mbetur nga koha e mbretërimit të Asait, atit të tij.
48Në atë kohë nuk kishte mbret në Edom, por vetëm një qeveritar të caktuar nga mbreti i Judës.
49Joshafati ndërtoi edhe anije në Tarshish, që të shkonin në Ofir për të marrë ar, por dërgata nuk ia doli mbanë, sepse anijet u shkatërruan në Ecjon Geber.
50Atëherë Ahazjahu, biri i Ahabit, i tha Joshafatit që detarët e Ahaziahut dhe të Joshafatit të lundronin bashkë, por Joshafati nuk pranoi.
Mbretërimi i Ahaziahut në Izrael51Joshafati u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit, paraardhësit të tij. Pas Joshafatit mbretëroi Jehorami, i biri.
52Në vitin e shtatëmbëdhjetë të mbretërimit të Joshafatit, mbretit të Judës, Ahazjahu, biri i Ahabit, u bë mbret i Izraelit dhe mbretëroi për dy vjet në Samari.
53Ahazjahu bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe u soll si i ati, si e ëma dhe si Jeroboami, biri i Nebatit, që e shtyu Izraelin në mëkat.
54Ai i shërbeu Baalit dhe e adhuroi, duke ndezur zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati.
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.