1Mordakai, pasi mori vesh se çfarë kishte ndodhur, shqeu rrobat, u mbështoll me grathore e me hi, doli në mes të qytetit dhe lëshoi një britmë hidhërimi.
2Por, te porta e mbretit u ndal, sepse kush ishte i veshur me grathore nuk mund ta kapërcente portën e mbretit.
3Në të gjitha krahinat, kudo që u shpall urdhri dhe ligji i mbretit, judenjtë bënë gjëmë të madhe, agjëruan, qanë, vajtuan, u veshën me grathore dhe shumë fjetën mbi hi.
4Kur shërbëtoret e Esterës dhe eunukët erdhën e i treguan, mbretëresha u trishtua shumë. Ajo i dërgoi Mordakait rroba, që të vishej e të hiqte grathoren, por ai nuk pranoi.
5Pastaj Estera thirri Hatakun, njërin nga eunukët, që mbreti ia kishte vënë në gatishmëri, dhe e urdhëroi të shkonte te Mordakai për të marrë vesh ç'kishte ndodhur dhe pse po sillej ashtu.
6Hataku shkoi te Mordakai, te sheshi i qytetit, përballë portës së mbretit.
7Mordakai i tregoi çfarë i kishte ndodhur, si dhe për sasinë e argjendit që Hamani kishte thënë se do të derdhte në thesarin e mbretit për rrënimin e judenjve.
8I dha edhe kopjen e ligjit të shkruar, që kishte dalë në Shushan për shfarosjen e tyre, që t'ia dëftonte Esterës, ta njoftonte e ta urdhëronte të shkonte te mbreti, për t'i kërkuar hir e për t'iu lutur për popullin e vet.
9Hataku shkoi e i tregoi Esterës fjalët e Mordakait.
10Atëherë Estera e urdhëroi Hatakun t'i thoshte Mordakait:
11«Të gjithë shërbëtorët e mbretit dhe populli i krahinave të tij e di se për çdo burrë a grua që shkon te mbreti përmes oborrit të brendshëm pa u thirrur, ka vetëm një ligj, dënim me vdekje, përveç atij mbi të cilin mbreti vendos skeptrin e artë që të mbetet gjallë. Edhe unë vetë kam tridhjetë ditë që nuk jam thirrur të shkoj te mbreti».
12Fjalët e Esterës ia treguan Mordakait
13dhe ai ktheu këtë përgjigje: «Mos të të shkojë ndër mend se do të shpëtosh vetëm ti nga të gjithë judenjtë në pallatin mbretëror.
14Sepse, nëse do të heshtësh tani, judenjve do t'u vijë shpëtimi e liria prej tjetërkund, ndërsa ti e shtëpia e atit tënd do të rrënoheni. Kush e di, ndoshta, u bëre mbretëreshë pikërisht për një kohë si kjo?».
15Estera i ktheu këtë përgjigje Mordakait:
16«Shko, mblidh të gjithë judenjtë që gjenden në Shushan e agjëroni për mua. Mos hani as mos pini për tri ditë, natë e ditë. Edhe unë e shërbëtoret e mia do të agjërojmë njësoj. Kështu do të hyj te mbreti kundër ligjit edhe në marrsha fund.
17Atëherë Mordakai shkoi e bëri gjithçka i urdhëroi Estera».
Who We AreWhat We EelieveWhat We Do
2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.