Isaia 14 - Interconfessional Albanian Bible – 2020 (66 books)(AL)

Çlirimi i Izraelit

1Por Zoti do të ketë dhembshuri për Jakobin e do ta zgjedhë përsëri Izraelin dhe në tokën e tyre sërish do t'i vendosë. Me ta do të bashkohen edhe të huajt e do të lidhen me shtëpinë e Jakobit.

2Popuj të tjerë do t'i marrin izraelitët e do t'i çojnë në vendin e tyre. Atëherë shtëpia e Izraelit do t'i marrë si trashëgimi në tokën e Zotit e do t'i bëjë shërbëtorë e shërbëtore për vete. Ata që i patën robëruar do të bëhen robërit e tyre dhe izraelitët do të sundojnë mbi ata që dikur i sundonin.

3Kur Zoti të të ketë çliruar prej vuajtjes, prej mjerimit e prej skllavërisë së rëndë, nën zgjedhën e së cilës ishe,

4do të thuash këtë fjalë shpotitëse kundër mbretit të Babilonisë:

Si mbaroi kështu tirani?

Si mori fund shtypja?

5 Zoti e theu shkopin e të paudhëve,

skeptrin e tiranëve e copëtoi,

6që i godiste popujt me furi,

që i gjuante pa pushim,

që me zemërim i nënshtronte kombet,

që i përndiqte pa mëshirë.

7E qetë prehet toka mbarë,

brohorasin kudo me gëzim.

8Për ty gëzojnë edhe bredhat,

gëzojnë cedrat e Libanit:

«Që atëherë kur u shove ti,

s'erdhi më kush për të na prerë!».

9Edhe skëterra poshtë për ty u vu në lëvizje,

ardhjen tënde duke pritur,

për ty i ngriti hijet e të vdekurve,

të gjithë ata që dikur sundonin tokën,

prej froneve të tyre i bëri të ngrihen

gjithë mbretërit e kombeve.

10Të gjithë do të marrin fjalën.

«U këpute edhe ti si ne», do të thonë,

«Edhe ti u bëre njëlloj si ne».

11Në skëterrë u plandos madhëria jote,

bashkë me tingëllimën e harpave të tua,

krimbat do të kesh tani për shtrojë,

vemjet për mbulesë.

12Po si re prej qiellit, o dritësjellës,

ti, o biri i agimit?

U përplase përdhe edhe ti,

ti që mbi kombet ngadhënjeje.

13Në zemër ti thoshe: «Në qiell kam për t'u ngjitur,

fronin mbi yjet e Perëndisë do ta ngre.

Do të ulem mbi malin e tubimit,

atje në skaj të veriut.

14Do të ngjitem përsipër reve,

do të bëhem si i Tejlarti».

15Por, ja që je plandosur në skëterrë,

në skajin më të thellë të gropës.

16Kush të sheh, sytë t'i ngul,

me vëmendje të vështron:

«A nuk është ky ai që trandte tokën,

që i bënte mbretëritë të dridheshin?

17Ai që botën shkretëtirë e bëri,

që qytetet ia rrafshoi

e të burgosurit kurrë nuk i liroi?».

18Tërë mbretërit e kombeve,

të gjithë prehen me lavdi,

secili në varrin e vet.

19Por ty të kanë flakur jashtë varrit,

si atë degën e kalbur,

i mbështjellë me të therurit,

me të shpuarit nga shpata,

të hedhur mbi pllakat e varrit,

si kufomë shkelur me këmbë.

20Ti nuk do të varrosesh si ata,

se vendin tënd e ke shkretuar,

e popullin tënd e ke shfarosur.

Fara e keqbërësve

nuk do të përmendet më kurrë.

21Bëni gati shfarosjen për bijtë e tij,

për paudhësinë e etërve të tyre,

që të mos ngrihen më për të zotëruar tokën,

që të mos mbushin më faqen e dheut.

22Do të ngrihem kundër tyre, kumton Zoti i ushtrive,

Babilonisë do t'ia shfaros emrin,

bashkë me ç't'i ketë mbetur, me farë e me fis,

kumton Zoti,

23do ta bëj fole iriqësh,

do ta kthej në moçal.

Do ta fshij me fshesë shkatërrimi,

kumton Zoti i ushtrive.

24 Zoti i ushtrive është betuar:

përnjëmend, siç e mendova,

ashtu do të ndodhë,

siç e shestova, ashtu do të jetë.

25Do ta mposht Asirinë në tokën time,

në malet e mia do ta shkel me këmbë.

Zgjedha e saj do të hiqet prej tyre,

barra e saj do t'u bjerë prej shpatullave.

26Ky është vendimi i marrë kundër mbarë tokës,

ky është krahu i shtrirë mbi mbarë kombet!

27Sepse kështu vendosi Zoti i ushtrive,

kush mund të kundërshtojë?

Krahu i tij është shtrirë tashmë,

kush mund t'ia kthejë pas?

Profeci kundër filistinëve

28Vitin që vdiq mbreti Ahaz, u bë kjo profeci:

29mos u gëzo ti, o Filiste e tërë,

se u thye shkopi që të rrihte.

Nga rrënja e gjarprit do të dalë nepërka

e pjella e tij do të jetë dragua fluturues.

30Të parëlindurit e skamnorëve do të kenë ç'të hanë

e të varfrit do të pushojnë në qetësi.

Me uri do ta zhbij rrënjën tënde

e ç'të ketë mbetur prej teje do të vritet.

31Vajto, o portë! Jepja gjëmës, o qytet!

Dridhu ti, o Filiste e tërë,

se po vjen tymi nga veriu

e nga radhët e tij s'ikën kush.

32E ç'përgjigje do t'u japin

lajmëtarëve të kombeve?

«Sionin e ka themeluar Zoti.

Në të do të gjejnë strehim

të mjerët e popullit të tij».

Blog
About Us
Message
Site Map

Who We AreWhat We EelieveWhat We Do

Terms of UsePrivacy Notice

2025 by iamachristian.org,Inc All rights reserved.

Home
Gospel
Question
Blog
Help